Kategoria Superiore

Dominim bardheblu/ Pak klube si Tirana, tifozët shijojnë “revanshin” e ëmbël

Nga YLLI AGA

Janë një numër i limituar klubesh, që e kanë të shkruar në Adn-në e tyre suksesin. Mes tyre me siguri absolute është edhe Tirana. Një ambient që nuk e gëzon asgjë më shumë se sa fitoret dhe trofetë.

Çdo gjë tjetër zhvendoset natyrshëm në plan të dytë, apo shndërrohet në një dramë të vërtetë, si në rastin e rënies për herë të parë nga Kategoria në majin e 2017.

Por ka edhe fitore dhe trofe, që kanë një simbolikë speciale, diçka e miksuar mes gëzimit për suksesin e shumëpritur dhe shpagimin për një disfatë të ngjashme. E gjitha kjo e përmbledhur dhe e shpërfaqur me festimet e dalura shpirtit, në përfundimin e derbit të fituar në Elbasan Arena.

Titulli kampion i hipotekuar prej javësh nuk mund të kishte epilog më të bukur, se sa me një triumf ndaj rivalëve të përjetshëm. Një histori e përsëritur në mënyrë identike, si në 12 majin e tre viteve më parë.

Aty ku Partizani rigjente titullin kampion pas 26 vitesh në mënyrën më të bukur, me një fitore në derbi dhe për më tepër në shtëpinë e bardhebluve. Asokohe ishin të kuqtë, që ligjshëm pushtuan fushën dhe iu gëzuan pa fre trofeut më të madh në futbollin tonë, duke e ngulitur në memorie si një nga kujtimet më të bukura të historisë së tyre.

Por, ndërkohë, ajo festë e të kuqve ishte shndërruar në makth për tifozerinë e Tiranës, e cila bashkë me sinjalizimin për fundin e ndeshjes nga Hamiti, ka marrë komandën për të pushtuar tapetin e “Elbasan Arena” për të festuar deri në ekzagjerim për titullin e 26 kampion në historinë e tyre.

Suksesi i Tiranës ka vënë në emërues të përbashkët të gjithë opinionin sportiv, duke e konsideruar plotësisht të merituar.

Bardheblutë e udhëhequr nga Refik Halili në tribunë, Orges Shehi në stol dhe Taulant Seferi në fushë, u vunë në kryesimin e kampionatit qysh nga java e katërt, ishin skuadra më sulmin më të mirë me 56 gola të shënuar në 26 prej 33 ndeshjeve të luajtura deri më tani, si dhe me mbrojtjen më solide me vetëm 21 gola të pësuar.

Skuadra me më shumë pikë në ndeshjet e luajtura në shtëpi dhe në ndeshjet jashtë. Një grup i bashkuar ku dominoi harmonia dhe shpirti i sakrificës, që diti të tejkalojë pa trauma, dështimet në ndeshje të caktuara, dhe të mbetej e fokusuar tek objektivi final.

Gjithashtu, një triumf që e thërret në apel klubin më të titulluar në vend, për të krijuar stabilitet dhe për të nisur një cikël të ri suksesesh. Gabimet e bëra në të kaluarën e afërt, me siguri dalin dhe mjaftojnë për të mos i përsëritur më.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency