Donald Trump merr një tjetër “shuplakë” nga Megan Rapinoe
Popullariteti i Megan Rapinoe si brenda dhe jashtë fushës së blertë ka prekur majën. Futbollistja amerikane u shpall kampione e botës vetëm pak ditë më parë në turneun e zhvilluar në Francë, ku fitoi Topin e Artë dhe Këpucën e Artë. Falë kësaj arritjeje në futboll, pasuar me një fjalim emocional, 34-vjeçarja ka fituar dashurinë e të gjithë kombit.
Megan, pas mbërritjes në Shtetet e Bashkuara është pritur si heroinë edhe për kritikat e saj ndaj politikës së Donald Trump.
“Ne duhet të jemi më të mirë. Ne duhet të duam më shumë dhe të urrejmë më pak, duhet të dëgjojmë më shumë dhe të flasim më pak,” – u shpreh ajo para fansave.
E pra, këto fjalë e kanë bërë atë një ikonë në vendin e saj. Ajo ka fituar zemrat e njerëzve, aq sa në anketën e fundit të realizuar nga kompania Public Policy Polling, e specializuar në realizimin e sondazheve, ka marrë 42% të votave, krahasuar me 41% të presidentit aktual Donald Trump.
Rapione është bërë problemi i presidentit aktual, ajo bën thirrje për më shumë tolerancë dhe respekt për grupet më të margjinalizuara. Pavarësisht rezultatit të sondazhit, ajo ka siguruar se politika nuk i përshtatet dhe nuk është në planet e saj. Një deklaratë që duhet të ketë qetësuar edhe presidentin Trump.




