Donjet Shkodra, në Kukës për një bast personal
Kalimi i Donjet Shkodrës tek Kukësi është një sfidë personale e mesfushorit nga Prishtina. Në verën e 2016, Shkodra erdhi në Superiore si një i panjohur teksa ishte Flamurtari që besoi në aftësitë e tij. Impakti ishte i menjëhershëm pasi Donjeti shënoi në debutimin e tij në Korçë ndërsa një javë më pas lëshoi dy perla përpara publikut vlonjat në fitoren 5-0 ndaj Luftëtarit. Më tej në një sezon me ulje ngritje për arsyet financiare, Shkodra u kthye në një lojtar kyç për vlonjatët aq sa tërhoqi vëmendjen e Skënderbeut. Kur pritej që ky të ishte viti i 28-vjeçarit rezultoi e kundërta. Mesfushori që në cv e tij ka aktivizimin në kampionatin belg, nuk gjeti hapësira në formacionin e korçarëve, pavarësisht se Skënderbeu luajti edhe në fazën e grupeve të Europa League. Praktikisht me një ngjeshje të kalendarit pritej që për Shkodrën të kishte më shumë hapësira, por mesfushori duket se nuk ka bindur trajnerin dhe drejtuesit e klubit të cilët e lejuan kalimin e tij tek një skuadër rivale si Kukësi. Dhe në veri me fanellën e kampionëve tashmë Shkodra ka një bast personal, të bindë të gjithë për aftësitë e tij, ato që shfaqi në Vlorë, për të synuar më pas atë që ëndërron, një paraqitje të mirë në arenën europiane.



