Dopietë e Quagliarelës, Sampi rikthehet te fitorja
Sampdoria u rikthye te fitorja që i mungonte prej disa javës, pasi mposhti me rezultatin e thellë 4-1 Bolognën, në sfidën e luajtur në stadiumin “Marassi” të qytetit të Gjenovës.
Skuadra e Giampaolos gjeti avantazhin që në minutën e 10 me anë të Praet, që shfrytëzoi një pasim të Caprarit, për të dërguar topin në rrjetën e portës së Bolognës.
Këta të fundit rikthyen baraspeshën vetëm 6 minuta më vonë, me anë të mesfushorit të mirënjohur Andrea Poli, që shënoi pas një krosimi nga krahu i djathtë i sulmit.
Gjithsesi barazimi zgjati shumë pak, pasi Quagliarela në minutën e 25-të dhe Ramirez në të 40-ën, kthyen rezultatin në favor të Sampdorias. Vendasit gjetën edhe golin e katërt në pjesën e dytë, po me anë të sulmuesit veteran, Quagliarela, duke sigluar suksesin 4-1.



