Dorëzohet edhe trajneri i Chelsea, N’Golo Kante drejt Spanjës
Te Chelsea vazhdon të shqetësojë çështja Kante. Kontrata e francezit me “Blutë e Londrës” përfundon në qershorin e vitit 2023 dhe një rinovim shihet gjithmonë e më larg. Arsyeja kryesore që ka një ngërç midis mesfushorit dhe drejtuesve të klubit është marrëveshja që ata i kanë ofruar, pasi sipas raportimeve 31-vjeçarit i është paraqitur në tryezë rinovimi për dy vite, me opsionin për një tjetër shtesë.
Ndërkohë, dëshira e lojtarit për të rinovuar është një kontratë 3-vjeçare me opsionin për një tjetër vit. Për këtë çështje ka folur edhe vetë trajneri Graham Potter, i cili ka pranuar se mesfushori mund të largohet në fundin e sezonit. “Është e vështirë të zëvendësosh dikë si Kante. Ai është një lojtar i klasit botëror dhe çdo ekip që do ta humbiste do të vuante.
Nëse shikojmë opsionet që kemi, edhe nëse nuk ka zëvendësues të drejtpërdrejtë, ka zgjidhje të tjera, ndaj duhet të gjejmë të duhurën. Nuk mund të bëj asgjë, është diçka mes klubit dhe lojtarit”, deklaroi tekniku i Chelsea.
Në rast se nuk gjendet një zgjedhje midis Kante dhe drejtuesve të klubit, atëherë në qershorin e vitit 2023 francezi do të dilte në treg me parametra zero. Interesi nga klubet europiane nuk mungon. Listën e kryeson Real Madrid dhe kampionët e Europës mund të përfitojnë për të transferuar një lojtar me tepër vlera pa asnjë kosto.



