Dortmundi i jep një goditje krizës, Stoger e nis me fitore
Trajner i ri dhe një fillim i ri për Borussian e Dortmundit. Debutim me fitore për Peter Stoger në stolin e verdhezinjëve me Dortmundin që triumfoi 2-0 në transfertën ndaj Mainz duke larguar disi krizën dhe duke u rikthyer te fitorja në kampionat pas plot 8 javësh në të cilat kishte regjistruar 3 barazime dhe 5 humbje. Shkarkimi i holandezit Peter Bosz dhe marrja e drejtimit të skuadrës nga ish trajneri i Koln-it, austriaku Peter Stoger dha efekt te Dortmundi që jo vetëm u rikthye te suksesi në Bundesligë por e bëri këtë pa pësuar gol edhe pse verdhezinjtë ishin me fat në fillimin e sfidës pasi Mainz mund të kishte kaluar në epërsi që në minutën e 7-të por tentativa e Serdar u ndal nga traversa. Në Opel Arena, mendoi një mbrojtës për të zhbllokuar shifrat pikërisht greku Sokratis Papastathopulos i cili në minutën e 55-të përfitoi nga një top i mbetur në zonë duke kaluar në epërsi miqtë. Fitoren e verdhezinjëve e vulosi japonezi Shinji Kagawa i cili i asituar nga Aubameyang shënoi edhe golin e dytë për miqtë nga Ruhri. Me këtë fitore Dortmundi u ngjit në vendin e 4-t në kuotën e 25 pikëve, po aq sa edhe Eintrachti i Frankfurtit që kaloi 2-1 n transfertë Hamburgun e Mërgim Mavraj me mbrojtësin shqiptar që u aktivizua gjatë gjithë takimit. Amir Abrashi ndërkohë mungoi për arsye dëmtimi në suksesin 1-0 që Freiburgu arriti ndaj Borussia Moenchengladbach.



