Dovizioso në ankth, mund t’i hiqet fitorja në Katar!
Fitorja e Andrea Doviziosos në garën e parë sezonale, pikërisht në Çmimin e Madh të Katarit është provizore dhe nuk ka marrë ende trajta zyrtare. Pas triumfit të dielën në mbrëmje në pistën e Losail, katër skuadra: Honda, KTM, Suzuki dhe Aprilia, kanë reklamuar fitoren te komisarët e garës. Sipas tyre, motori Ducati ka patur parregullsi në telajo, pasi ishte vendosur një pjesë e paligjshme në gomën e pasme.
Komisarët e garës e kanë hedhur poshtë këtë kërkesë, por 4 skuadrat e kanë dërguar kërkesën e tyre në Komisionin e Apelit të Federatës Ndërkombëtare te Automobilizmit. Ky i fundit ka kërkuar më shumë informacion dhe do të marrë një vendim përfundimtar ditët në vijim, pasi të analizojë të gjithë informacionin e grumbulluar.
Për momentin Andrea Dovizioso është fitues i garës së Katarit dhe kryeson renditjen me 25 pikë, duke lënë pas Marquez, Crutchlow, Rins e Rossi. Gjithsesi, renditja është ende provizore dhe situata mund të ndryshojë në rast se Apeli i jep të drejtë 4 skuadrave dhe skualifikon pilotin italian.



