Dridhet i tëri nga të ftohtët, pamjet e portierit italian bëjnë xhiron e botës (video)
Të martën, u luajtën disa sfida të fazës së 1/8-ave të Kupës së Turqisë, mes të cilave edhe Karagumruk-Konyaspor (5-4), që u vendos në kohën shtesë me golin e Emre Mor, pasi koha e rregullt ishte mbyllur barazim 4-4. Vendësit kaluan në fazën tjetër, duke ndalur rrugëtimin e skuadrës nga Konia, pjesë e së cilës janë tre shqiptarë: Sokol Cikalleshi, Endri Çekiçi dhe dardani Bytyqi. Në fushë, nga minuta e parë luajtën Çekiçi dhe Bytyqi, ndërsa sulmuesi kavajas nuk ishte grumbulluar.
Asgjë e jashtë zakonshme sa i përket rezultatit, megjithatë disa pamje nga kjo përballje po bëjnë xhiron e botës. Sfida u zhvillua në kushte të vështira, në një mot të ftohtë e me reshje. Në një moment, kamerat fokusuan portierin e vendasve, italianin Emiliano Viviano, që po dridhej i tëri. Probleme edhe për gjyqtarin kryesor, që kërkoi ndihmë nga jashtë fushës, për të përballuar të ftohtët.
Me siguri, lojtarët dhe zyrtarët kanë pritur për padurim përfundimin e ndeshjes, për t’i shpëtuar hipotermisë.



