Drita “me 5 yje” ndaj Feronikelit, Prishtina “përmbys” Malishevën, fiton edhe Llapi
Drita merr fitoren e tretë radhazi në BKT Superligën e Kosovës, teksa këtë herë ka triumfuar me goleadë në transfertën ndaj Feronikelit, me këta të fundit që duken të dorëzuar dhe janë me një këmbë në Kategorinë e parë.
Skuadra nga Gjilani nuk e diskutoi për asnjë moment rezultatin dhe shënoi 4 gola në pjesën e parë, me Simonovskin që bëri dopietë, Kryeziun e Namanin, ndërsa në pjesën e dytë ishte Jashari që vulosi suksesin 5-0.
Merr një tjetër fitore edhe Prishtina, që këtë herë përmbysi Malishevën në kryeqytet dhe iu largua ndjeshëm zonës së ftohtë të renditjes. Miqtë e mbyllën pjesën e parë në avantazh, pas golit të Jasharit, megjithatë kryeqytetasit reaguan në 45-minutëshin e dytë dhe shënuan me Mankendën, Kryeziun e Otto John, për të marrë tre pikët.
Llapi i jep fund “agjërimit” prej pesë ndeshjesh pa fitore në kampionat, pasi ia doli të mposhtë Ulpianën në transfertën me rezultatin 0-2. Jashari në pjesën e parë dhe Alidemaj në të dytën, vulosën suksesin për skuadrën nga Podujeva, që gjithsesi mbetet larg zonës europiane të renditjes.



