Drita triumfon në derbin e Anamoravës, buzëqeshin Ferizaj e Ballkani
Tre fitore vendase në 3 sfidat e së shtunës në Ipko Superligën e Kosovës të vlefshme për javën e 18-të të kampionatit. Spikat padiskutim suksesi 3-1 i Dritës në derbin e zjarrtë të Anamoravës ndaj Gjilanit. Në një stadium te tejëmbushur ku pjesa më e madhe ishin tifozë të Dritës, sfida u zhblloku pas vetëm 8 minutash lojë nga Nimani. Në fillimin e pjesës së dytë ndeshja u ndërpre disa minuta për shkak të hedhjes së sendeve piroteknike në fushë, megjithatë loja rifilloi shpejtë. Gjilani vuri baraspeshën në minutën e 69-të me Hajdarin por festa e tyre zgjati fare pak sepse afrimi më i fundit i Dritës nigeriani Nwabueze kaloi në epërsi intelektualët vetëm disa sekonda më vonë.
Fitoren e kampionëve në fuqi të Kosovës u vulosi mesfushori shkodran Erjon Vucaj në minutat shtesë. Në sekondat e fundit Ansi Nika i Gjilanit u ndëshkua me karton të kuq. Nisi me një fitore në derbi aventura e Ardian Nuhiut si trajner i parë i Dritës me këtë të fundit që zëvendësoi Shpëtim Duron që dha dorëheqjen pas eliminimit në Kupë nga Vëllaznimi. Me këtë fitore Drita iu afrua në renditje Gjilanit sepse tashmë ka 26 pikë vetëm një më pak se “skifterat”, por gjithsesi të dyja skuadrat janë shumë larg kreut të renditjes. Në dy sfidat e tjera të së shtunës, Ferizaj mori një fitore jetike ndaj Trepça ’89 duke rritur shanset për mbijetesë, ndërkohë që Ballkani kaloi me të njëjtin rezultat 2-0 Drenicën.



