Drita zhgënjen në shtëpi, Liria mposht Feronikelin, ngjitet e 4-ta
Surprizon Vëllaznimi ndërkohë që Liria shfrytëzon faktorin fushë. Nisi me një rezultat surprizë java e 21-të e Vala Superligës së Kosovës. Vëllaznimi shokoi Dritën kryesuese brenda në Gjilan duke e ndalur në një barazim 1-1, me Dritën që tashmë mund të humbasë kreun në rast fitoreje të Prishtinës. Në një fushë shumë të rënduar nga moti i keq, vendasit arritën të zhbllokonin rezultatin me sulmuesin Kastriot Rexha në minutën e 65-të. Por skuadra gjakovare edhe pse me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të Ilir Sylës në minutën e 77-të, gjeti forcën për të reaguar dhe arriti të barazonte shifrat me Lekë Vulën në minutën e 84-t, duke i marrë një pikë Dritës. Në ndeshjen tjetër të zhvilluar në stadiumin Përparim Thaçi në Prizren, një gol i Mevlan Zekës në minutën e 54-t i dha fitoren Lirisë përballë Feronikelit. Me këtë fitore skuadra e Bledi Shkëmbit u ngjit në vendin e 4-t të renditjes në kuotën e 34 pikëve.



