Dueli i titullit në 16:15, Barça-Atletiko apo Messi kundër Griezmann, spektakli i garantuar
Vetëm pak javë më parë, Barcelona po kryesonte e qetë renditjen pa patur shqetësimin e asnjë prej ndjekësve, tanimë situata paraqitet krejt ndryshe. Tre barazimet ndaj Getafes, Espanyolit dhe e fundit ndaj Las Palmas kanë bërë që blaugranat të ndjejnë presingun e Atletikos së Madridit, që ka shfrytëzuar hapat e gabuar të kundërshtarit, duke iu afruar ndjeshëm. Vetëm 5 pikë distanca mes dy skuadrave dhe dueli i së dielës mes tyre do të jetë një betejë e vërtetë. Skuadra e Valverdes ende nuk e pa provuar shijen e humbjes në La Liga, e në kampin tjetër Atletiko regjistron vetëm 1 disfatë në 26 ndeshje të luajtura.
Barazimi mund të kënaqë Barcelonën, ndërsa Atletikos ky rezultat nuk i shërben aspak ndaj përkushtimi për të bërë të pamundurën të mundur do të jetë maksimal. Duhet të kthehemi shumë prapa për të parë një fitore të madrilenëve, e fundit është në vitin 2006. Një ndeshje që nuk mund të flitet për favorit. Një sfidë mes dy skuadrave me filozofi të ndryshme. Tekniku Simeone beson tek loja e grupit, por forma e shkëlqyer e francezit Antoine Griezmann është një mesazh i qartë për katalanët e Barcelonës.
Griezmann i cili numëron plot 7 gola në dy takimet e fundit bashkë me tregolëshin ndaj Sevijas, është gati të thyejë një tabu , duke qenë se kurrë më parë nuk ka arritur të shënojë në “Camp Nou”.Nëse blaugranat kanë Messin që shkëlqen në organikën e skuadrës e që si gjithmonë vijon të ruajë një performancë të shkëlqyer, Atletico mund të mbështetet te Griezmann që në 193 paraqitje me këtë skuadër numëron plot 103 gola të realizuar.
Barcelona-Atletiko Madrid beteja me aromë titulli të gjithë shqiptarët do të kenë mundësi të ndjekin live në kanalin Supersport 1 në orën 16:15.



