Duka: Ndërtimi i fushave sportive, fokusi aktual i FSHF-së
Investimet në stadiumet ku luhen ndeshjet e Superiores, kanë bërë që shumë skuadra të luajnë larg qytetit që përfaqësojnë, megjithatë Duka thekson se është një aspekt i pashmangshëm dhe që nuk ndikon në objektivat e ekipeve.
“Fatkeqësisht investimet në fushat e futbollit janë të tilla që zgjasin dhe cënojnë edhe ecurinë e kampionatit, megjithatë në kampionatin shqiptar e kemi ngushtuar shumë hendekun e rezultateve në shtëpi apo jashtë. Kemi parë Rrogozhinën të fitojë në Laç, gjë që ishte utopike edhe për ekipe si Partizani, pasi diferencat mes ekipeve tona janë zbutur shumë, ndaj luajtja jashtë nuk ka ndikuar në objektivat e skuadrave. Po merren masat për të qenë gati për të pritur ndeshje edhe stadiumet e Kukësit e Teutës, ku ka përfunduar investimi dhe po pritet zhvillimi në parametrat optimalë i barit të fushës”, deklaroi Duka.
Sa u përket projekteve të investimit, kreu i FSHF-së, Duka zbulon se është përqendruar në ndërtimin e shumë fushave sportive, jo vetëm për klubet profesioniste, por edhe për fëmijët dhe nivelet amatore.
“Nuk kemi plane për ndërtime stadiumesh të reja, por kemi në proces dhe projekt, rikonstruksionet dhe ndërtimin e shumë fushave të reja për stërvitje, jo vetëm për klubet profesioniste, por edhe për fëmijët dhe amatorët. Siç e dini, ne kemi nisur organizimin e shumë kampionateve amatore në të gjithë Shqipërinë. Fusha stërvitore kemi nisur në Durrës, ku njëra ka përfunduar dhe tjetra drejt përfundimit. Thuajse në të gjithë bashkitë e vendit kemi gjetur bashkëpunim për bashkëfinancimin. Kemi nisur një projekt të madh në Lushnjë, ku është hedhur edhe lopata e parë e nisjes së punës, pasi ambientet atje ishin katastrofë. Nuk refuzojmë asnjë propozim për ndërtimin e fushave sportive, pasi ky do të jetë edhe fokusi ynë kryesor. Mirëpresim çdo propozim, qoftë nga institucionet, qoftë nga individët, pasi ky është hapi kryesor për të ardhmen”, deklaroi Duka.



