Futboll

Duka për SuperSport: Kemi rinovuar kombëtaren, marrim edhe disa futbollistë nga Shpresat

Krahas rezultatit, në këtë edicion eliminator te Kombëtarja pati një lloj rifreskimi të skuadrës, pasi shumë emra të rinj treguan se janë gati për të nisur një cikël të ri, teksa Duka pranoi se bëhet fjalë për një proces rinovimi dhe jo revolucion.

“Rinovimi është një proces që vjen në mënyrë të natyrshme, pasi nuk është se bëmë një revolucion. Ne kemi bërë një gërshetim mjaft të mirë të futbollistëve me eksperiencë dhe atyre të rinj. Një shans të mirë na e dha edhe Liga e Kombeve, ku u përfaqësuam kryesisht me emra të rinj dhe për fat të mirë dolëm edhe të parët në grup, por edhe përgatitëm disa futbollistë. Lojtarët tanë janë aktivizuar me skuadra të rëndësishme dhe kanë luajtur rregullisht, por ndoshta defekti i vetëm ka qenë që i ka penguar shpesh koronavirusi. Një nga futbollistët më me kualitet që ne kemi, Nedim Bajrami kaloi koronavirusin në ndeshjet ndaj Polonisë dhe Hungarisë në shtator dhe do të ishim shumë më mirë, nëse atëherë do të kishte të njëjtën formë si tani. Nëse nuk do kishim këto probleme, si lojtarët e prekur nga koronavirusi, apo dëmtimi i Gjimshitit, jam i sigurt që do të ishim duke diskutuar Play Off-in në mars kundër Rusisë”, u shpreh Duka.

Kreu i FSHF-së deklaroi se përveç krijimit të një baze mjaft të mirë për të tashmen, edhe e ardhmja duket shumë premtuese, teksa shtoi se emra si Asllani, etj., që kanë luajtur me Shpresat deri tani, janë gati të japin kontributin në kombëtaren e madhe.

“Kemi lojtarë premtues, si Broja e Kumbulla, por edhe të tjerë, pasi për mendimin tim ka edhe disa futbollistë te U21-shi, që janë gati të debutojnë me ekipin e parë. Ka shumë futbollistë si Kumbulla te Roma, apo Broja te kampionati anglez, ku jo vetëm që po luan, por edhe po lë shenja, me gola të shënuar e paraqitje mjaft të mira. Kemi edhe shumë lojtarë të tjerë, që mendoj se janë gati të afrohen në ekipin e parë dhe të luajnë aty. Emra si Asllani, që ka qenë titullar i Shpresave, apo Mihaj, që ka qenë edhe më herët, mendoj se janë gati të japin kontributin e tyre në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve”, tha presidenti i FSHF-së.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency