Duka: Short i kënaqshëm, ja çfarë pres nga Kombëtarja këtë edicion
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka komentoi shortin e Shqipërisë në Nations League. Kombëtarja kuqezi është pjesë e Grupit 2 në Ligën B dhe do të sfidojë Rusinë, Izraelin dhe Islandën.
Kreu i futbollit shqiptar e cilëson të kënaqshëm shortin, zbulon objektivin real të skuadrës kombëtare, ka një mesazh për Edi Rejën dhe stafin e tij teknik dhe e mbyll me një koment për lojtarët e Shqipërisë U21.
“Shorti ishte i kënaqshëm, nuk u tregua negativ me ekipin tonë. Skuadra pak a shumë të dëshiruara, skuadra me të cilat mund të bëjmë rezultat pozitiv, dhe kemi bërë rezultat pozitiv në të shkuarën.
E vetmja e keqe që ka shorti është sepse janë vende në distancë gjeografike të largët, duke pasur parasysh që luajmë katër ndeshje në qershor, me diferencë vetëm tre ditë nga njëra-tjetra.
Mbetet që gjërat t’i bësh në fushë dhe jo në letër, kështu që skuadra duhet të përgatitet për një kompeticion shumë më të vështirë se sa i kaluari në Grupin C. Tani jemi në një shkallë tjetër vështirësie, në një nivel tjetër dhe kërkon akoma më shumë kualitet dhe impenjim.
Unë i shikoj të gjitha rezultatet e mundshme kundër tre kundërshtarëve, qoftë në shtëpi dhe jashtë saj. Uroj të jemi me spektatorë në qershor, uroj të jemi në normalitet, uroj që lojtarët të jenë mirë, sepse është fund sezoni, lojtarët tanë luajnë pothuajse në gjithë ndeshjet e vitit dhe fundi i sezonit i gjen të lodhur.
Ky është disavantazh, por i kemi mundësitë të arrijmë çdo rezultat. Objektivi real i Shqipërisë në këtë kompeticion është vendi i dytë, por nuk është i pamundur vendi i parë.
Mbetet një kompeticion i ndërmjetëm, që i jep mundësinë sadopak stafeve të provojnë, guxojnë dhe aktivizojnë sa më shumë lojtarë të rinj.
Gjatë vitit 2022, ekipi i parë duhet të marrë të paktën 3 futbollistë nga ekipi U21, të cilët mendoj se janë gati për të luajtur në ekipin e parë dhe mendoj do na ndihmojnë në reparte ku kemi nevojë, si mesfusha”, përfundoi presidenti i FSHF-së.



