Duro: Luftëtari nuk na vodhi gjë, por Kamza nuk dorëzohet
Klodian Duro pranoi verdiktin e fushës në transfertën e Gjirokastrës, duke komplimentuar Lufëtarin për suksesin. Trajneri i Kamzës theksoi në “Gol pas Goli” se formacionit të tij po i mungon forca goditëse.
Ishte ndeshja e tretë që humbisni…
Nuk ndihesh mirë kur humbet, por është një vazhdimësi e lojërave tona. Të tilla janë ndeshjet. Në një moment ose mund të shënosh ose mund të pësosh. Luftëtari nuk na vodhi gjë. Fitoi me meritë. Kemi bërë mirë në lojë, nuk na është përgjigjur rezultati. Nuk duhet dorëzohemi. Duhet të vazhdojmë të gjithë bashkë. Është vetëm fillimi. Kampionati është i gjatë.
Sa kanë ndikuar mungesat te Kamza?
Nuk qahem për mungesat. Kemi futbollistë të tjerë që i zëvendësojnë. Kush jep më të mirën në stërvitje do të jetë në fushë. Futbollistët dhanë atë që unë dëshiroj. Kemi shumë për të bërë. Kur futbollistët të jenë 100 % në stërvitje atëherë do të japin më të mirën në fushë. Gjithë kjo situatë do të na kthehet në forcë. Unë jam optimist.
A kanë besim drejtuesit te ju?
E njoh shumë mirë Shqipërinë. Gjithmonë kam qenë koherent me gjithçka çfarë ndodh. Më është kërkuar ekip i plotë dhe më pas të vijnë dhe rezultatet. Nuk më vjen mirë për rezultatet, jam i pari që marr përgjegjësi. Nuk kam frikë nga kjo lojë që quhet futboll. Fiton grupi dhe jo individi. Jam me kokën lart në këtë pjesë.
Cilat janë arsyet që keni marrë 3 humbje radhazi?
Skema ime është ajo që nxjerr skuadrën përpara dhe sigurisht fiton. Nuk kemi fituar në ndeshjet e fundit. Ne e nisim me 4-4-2, po gjatë lojës bëjmë shumë ndryshime. Na mungon pjesa goditëse. Kam besuar shumë te emrat e mëdhenj që Kamza ka në sulm. Po ata kanë pasur probleme. Jam në krahun e tyre për të zgjidhur problemet. Me shumë besim kam aktivizuar një 17-vjeçar, si Krasniqi, mu përgjigj ashtu siç duhet. Ashtu edhe Fejzaj, që e aktivizova në pjesën e dytë. Futbolli kështu është. Një ndeshje mund të shprehesh mirë por nuk fiton, në një tjetër ndoshta nuk shprehesh mirë dhe mund të fitosh. Dua të komplimentoj edhe trajnerin Mezani.



