Duro para Kukësit: Loja është tjetër nga festa e stadiumit, organika Laçit nuk ka diferencë me Tiranën
Trajneri Shpëtim Duro foli para ndeshjes së nesërme ndaj Kukësit, aty ku do të inagurohet edhe stadiumi i ri i verilindorëve. Megjithatë, tekniku i kurbinasve theksoi se përtej atmosferës së zjarrtë që pritet në Kukës, ndeshje në fushë do të jetë diçka tjetër dhe ekipi i tij do të bëjë më të mirën. Nga ana tjetër, Duro shtoi se me siguri se Laçi do të mund të garonte deri në fund për titullin nëse nuk do të kishte ndryshuar trajner në fillimin e sezonit.
“Të gjitha ndeshjet janë të vështira në këto momente, Kukësi është te pjesa e sipërme e klasifikimit dhe ka entuziazëm pasi për herë të parë pas shumë kohësh luhet në Kukës. Edhe për ne është kënaqësi se inagurohet një stadium modern, është ndeshje e vështirë por është pozitive të luajmë në atë ambient dhe stadium. Por, loja është diçka tjetër nga festa e stadiumit”.
Vendi i dytë- “Lufta është e hapur deri në fund, do të shikojmë javë pas jave. Pas ndeshjes me Kukësin do të shikohet rezultati, por lufta për vendin e dytë do të vazhdojë deri në fund. Kupa është një arritje e madhe dhe kemi shkuar në finale, por duhet të përqëndrohemi te kampionati. E rëndësishme është të arrijmë objektivin nga kampionati, që edhe në Kupë të jemi të qetë”.
Nëse nuk do të ishe larguar në fillimin e sezonit- “E kam thënë se Laçi do të ishte për titull kur u largova, nuk e imagjinoja të kisha diferencë me Tiranën, nuk ka diferenca për organikën. Më ka ngelur pishman se do të ishim si në sezonin e kaluar, por edhe më mirë. Por jemi mirë nëse arrijmë vendin e dytë, do të ishte e rëndësishme dhe pozitive.
Sezoni i kaluar ishte rezultat historik, hera e parë që luftonte për titull dhe skuadra më e mirë shqiptare në kompeticionet europiane. Është vlerësim nga drejtuesit rikthimi im, do të ishte shumë pozitive që bashkëpunimi të mos ndërpritej në këtë sezon, tani jemi përqëndruar te fundi i këtij sezoni”, u shpreh Duro.



