Duro: Të kënaqur me barazimin, nuk kemi presion
Flamurtari nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola në transfertën ndaj Teutës në Durrës, por trajneri Duro duket se ka mbetur i kënaqur me rezultatin dhe paraqitjen.
“Ndeshja ishte e vështirë, duke pasur parasysh pozitat në të cilat është Teuta, pasi do të kërkonte me doemos fitoren, por ne kemi mjaftueshëm kualitet për të mos humbur. Do të doja të fitonim, pasi krijuam mjaftueshëm, por nuk shfrytëzuam mundësitë. Gjithsesi, në këtë situatë, ndihem i kënaqur edhe me barazimin”, deklaroi Duro
Kukësi tani është vetëm një pikë larg Flamurtarit, në garën për vendin e dytë, por duket se kjo nuk e shqetëson aspak trajnerin e vlonjatëve.
“Nuk kemi presion, pasi jemi në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë dhe në vendin e dytë të renditjes, duke bërë që të jemi brenda pritshmërive dhe parashikimeve tona. Këtë javë fitoi Kukësi, edhe me fat, ndërsa ne nuk ia dolëm, por kampionatin është ende i gjatë”, tha Duro.
Te vlonjatët mungonin Juffo, Bici dhe Tounkara, por trajneri Duro theksoi se vetëm dy të parët janë ata që i mungojnë skuadrës, pasi futbollisti i Lazios nuk e ka treguar ende veten.
Juffo na mungon shumë, ashtu si edhe Bici, që kanë dhënë kontribut të madh për skuadrën, por Tounkara nuk ka bërë ende prezantimin dhe nuk mund të them se ia ndjejmë mungesën. Natyrisht që presim të rikthehet dhe të luajë e të japë kontributin e tij edhe ai” u shpreh trajneri i Flamurtarit.



