Dy ndeshje radhazi pa fitore, Laçi i Josës synon kthesën ndaj Dinamos
Laçi dhe Dinamo do të matin forcat në një sfidë delikate në takimin e javës së 11-të të Abissnet Superiore. Laçi vjen pas dy ndeshjesh radhazi pa fitore, megjithatë në shtëpi kanë treguar se janë një skuadër kompakte duke marrë maksimumin e pikëve në stadiumin e tyre në dy ndeshjet e fundit, pasi kanë mundur me të njëjtin rezultat 2-0 si Skënderbeun ashtu dhe Teutën.
Mirel Josa i gëzohet rikthimit të dy futbollistëve shumë të rëndësishëm si Mentor Mazrekaj dhe Regi Lushkja. Fantazisti nga Prishtina është bashkuar me skuadrën dhe dëmtimi i pësuar në Shkodër dhe është i gatshëm për të zbritur në fushë, ndërsa në anën tjetër Lushkja mundoi për shkak kartonësh në “Loro Boriçi” dhe tashmë pritet që të marrë vendin e tij në qendër të mesfushës.
Kryeqytetasit në anën tjetër duhet të bëjnë pa Edis Maliqin, i cili u ndëshkua në karton të kuq në sfidën me Kastriotin në minuta e fundit të ndeshje, ndërsa dhe Lancinet Sidibe po ashtu nuk do të jetë i disponueshëm, për shkak se ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë në takimin e javës së 10-të.
Po ashtu vijojnë të jenë të dëmtuar dhe Rimal Haxhiu dhe Patrik Bardhi, të cilët me gjasa nuk do të jenë të gatshëm për këtë përballje. Në Laç skuadra e Blendi Shkëmbit kërkon që të gjejë vazhdimësinë pasi deri më tani nuk ka mundur që të marrë 2 fitore radhazi në kampionat.
Në sfidën e zhvilluar në Elbasan Arena në fazën e parë Dinamo dhe Laçi barazuan 1-1, me kurbinasit që realizuan në limitet e ndeshjes falë golit të Roganoviç.
Diferenca mes Dinamos dhe Laçit është vetëm një pikë, me blutë e kryeqytetit që kanë 13 pikë, duke u pozicionuar në vendin e pestë, ndërsa kurbinasit e shohin veten në vendin e shtatë. Në një situatë ku diferencat janë shumë të vogla mes këtyre dy skuadrave, pritshmëritë janë maksimale.



