Dy shkarkime radhazi, Montella merr ofertë nga Irani
Sezoni i kaluar nuk ishte aspak i mbarë për Vincenzo Montellën, pasi në harkun e 5 muajve, u përball me dy shkarkime, fillimisht nga Milani dhe më pas nga Sevilla në kampionatin spanjoll.
Tashmë tekniku është i papunë dhe në pritje të ndonjë oferte që mund ta tundojë, ndërsa duket se së fundi është kontaktuar nga Federata Iraniane e Futbollit, për t’i besuar stolin e kombëtares atje.
Sipas mediave italiane, Irani i ka ofruar Montellës një kontratë për 3 vite e gjysmë, me synimin që të arrihet pjesëmarrja në Botërorin 2022, ndërsa paga pritet të jetë rreth 2 milionë euro në sezon.
Aktualisht Montella ka kërkuar kohë, para se të japë një përgjigje, pasi duket se ish tekniku i Milanit shpreson ende nga ndonjë ofertë nga kampionati italian, të cilin e njeh më mirë.



