Dygolësh i Chiesas, Fiorentina “fluturon” në çerekfinale
Federico Chiesa çon Fiorentinën në çerekfinale të Kupës së Italisë. Dy golat e sulmuesit italian (i biri i të madhit Enrico Chiesa) në fundit e takimit me Torinon i mjaftuan ekipit vjollcë për të siguruar kualifikimin, që përtej rezultatit, nuk ishte dhe aq i thjeshtë për t’u arritur.
Deri 3 minuta para fundit të kohës së rregullt, gjithçka ishte e hapur, madje skuadra “granata” po bënte maksimumin për të shfrytëzuar faktorin fushë, por pikërisht në të 87-ën Federico Chiesa realizoi një gol me shumë peshë, që e detyroi Torinon të hidhej e tëra në sulm për të barazuar në minutat e pakta të mbetura.
Hapësirat që lanë pas vendasit u shfrytëzuan nga Fiorentina në kohën shtesë, me Chiesan që realizoi golin e “Knockout”-it.
Në çerekfinale të Kupës së Italisë Fiorentina do të përballet me skuadrën fituese të çiftit Roma-Entella.



