E ardhmja, Suarez: Nuk rikthehem në Europë, ju shpjegoj pse
Luis Suarez plotësoi dëshirat e fëmijëve të tij dhe tifozëve të Nacionalit në verë. Sulmuesi firmosi një kontratë 5-mujore me ekipin e zemrës, duke u rikthyer në vendlindje tek ekipi ku hodhi hapat e para si futbollist.
35-vjeçari është i fokusuar te Kupa e Botës Katar 2022. Mosha ia vështirëson marrjen pjesë në një tjetër Botëror dhe edicioni që do të zhvillohet në periudhën 20 nëntor-18 dhjetor, pritet të jetë i fundit për të me Kombëtaren.
“El Pistolero” numëron 68 gola në 134 ndeshje me Uruguain, që është pjesë e grupit H në Kupën e Botës bashkë me Portugalinë, Ganën dhe Korenë e Jugut. Në një deklaratë për spanjollen Marca, Suarez është ndalur tek e ardhmja.
“Unë ende nuk e di se çfarë do të bëj. MLS (kampionati amerikan i futbollit) është një nga opsionet e mundshme, por për momentin po shijoj aventurën me Nacionalin. Një gjë është e sigurt: nuk do të rikthehem në Europë.
E kam mbyllur karrierën time atje, u largova krenar nga futbolli europian. Kisha shumë opsione përpara se të rikthehesha te Nacionali, por pas Groningenit, Ajaksit, Liverpoolit, Barcelonës dhe Atletico Madridit…
Nuk mund të zhvilloja dot një karrierë më të mirë. Për këtë arsye nuk mund të shkoja te një ekip që ishte më pak i fortë se Atletico. Ishte një trajektore perfekte. Më kuptim kishte rikthimi në Uruguai, jo sepse është një ligë e dobët por për të mbyllur një cikël”, deklaroi një nga sulmuesit më të mirë të dekadës së fundit.



