E bujshme, Manaj grumbullohet nga Barça për sfidën ndaj Leganes!
Rey Manaj bën menjëherë hapin e madh. Aventura e tij te Barcelona B ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme. Pas debutimit pozitiv me skuadrën B në kategorinë e tretë të futbollit spanjoll, debutim në të cilin i mungoi vetëm goli, sulmuesi i kombëtares shqiptare është grumbuar nga trajneri i skuadrës së parë të Barcelonës Quique Setien për ndeshjen e kësaj të enjteje në Kupën e Mbretit, sfidë teke për raundin e 1/8-ave të cilën Barça do ta luajë në Camp Nou. Manaj këtë të mërkurë është stërvitur përkrah yjeve të Barcelonës si Messi, Griezzman, Rakitic etj, siç duket qartë edhe në fotot e publikuara nga klubi katalanas. Manaj nuk është i vetmi nga skuadra B pasi janë thirrur edhe futbollistë të tjerë si Pena, Puig e Colado. Manaj shpreson që të debutojë me Barçën në këtë sfidë, qoftë edhe duke u aktivizuar nga stoli. Grumbullimi në skuadrën e parë është një lajm i madh për Manajn i cili do të përpiqet ta shfrytëzojë në maksimum.



