E Diel e ‘zezë’ për VAR-in, elementi njerëzor e zhvlerëson
Video Assistant Referee, ose shkurt VAR, ishte risia e këtij sezoni në Serinë A, nëpërmjet të cilës synohej që teknologjia t’i vinte në ndihmë arbitrave për të ndërhyrë në momentet deçizive, për të marrë vendimin e duhur, që të shmangin gabimet me peshë.
Kur janë luajtur 22 javë, ka shumë momente kur VAR ka ndërhyrë dhe ka bërë që në fushë të vendoset drejtësi, qoftë edhe me koston e një vonese disa minutëshe, që ul emocionet e një ndeshjeje futbolli.
Gjithsesi, të shpeshta kanë qenë edhe dështimet, herë për faj të gjyqtarëve, që kanë gabuar edhe pasi kanë riparë pamjet dhe herë për faj të arbitrave pranë sistemit, që nuk kanë ndërhyrë për të sinjalizuar kryesorin mbi gabimet. Dita e djeshme ishte edhe më e ‘zeza’ për VAR-in dhe arbitrat italianë, që vendosën rezultatin e 3 takimeve me ndërhyrjet apo mosndërhyrjet e tyre.
Napoli-Bologna
Në ndeshjen e fituar 3-1 nga vendasit, VAR, në bashkëpunim me Mazzolenin kanë marrë 2 vendime të gabuara, të dyja në dëm të emilianëve, çka ka shkaktuar edhe irritimin e trajnerit Donnadonni.
Kështu fillimisht arbitri Mazzoleni vërshëllen për një penallti inekzistente në dëm të Callejon, që bie në tokë pa pasur prejkje, e jo më shtyrje. Pavarësisht protestave të futbollistëve të Bolognës, Mazzoleni refuzon të rishikojë imazhet dhe arbitri pranë VAR-it nuk sinjalizon kryesorin për vendimin e gabuar.
Më vonë, shënohet një tjetër episode, këtë herë në zonën e Napolit, ku Koulibaly prek topin me dorë, por edhe këtë herë Mazzoleni injoron kontestimet e futbollistëve të Bolognës dhe vijon lojën, duke refuzuar të konsultohet me imazhet.
Crotone-Cagliari
Në minutën e parë shtesë, Crotone shënon golin e avantazhit, duke çuar rezultatin 2-1, por anësori Crispo ngre flamurin për pozicion jashtë loje. Pas protestave të vendasve, Tagliavento vendosi të rishikojë imazhet, por ndonëse dallohej qartë që nuk kishim të bënim me pozicion jashtë loje, sërish vendosi të anulojë golin, duke sjellë irritimin e Crotones, që humbi 2 pikë vetëm falë gabimit të arbitrit.
Milan-Lazio
Kuqezinjtë e Gattusos gjejnë golin e avantazhit në minutën e 15’, falë një devijimi të Cutrones, që në momentin e parë të krijonte idenë se e preku topin me kokë. Festa e skuadrës së Milanit zgjati rreth 53 sekonda, deri në rinisjen e ndeshjes, kohë e mjaftueshme për të riparë golin nga kënde të ndryshme dhe për të dalluar se topi ishte shtyrë në rrjetë me dorë.
Gjithsesi, ndonëse e panë të gjithë nga ekrani, se prekja ishte me dorë dhe jo me kokë, VAR-I ‘nuk arriti të shikojë të njëjtën gjë’ dhe nuk ndërhyri për të sinjalizuar arbitrin Rocchi se goli duhej anuluar.
Kështu, pavarësisht se ka pasur momente të shumta pozitive dhe për më tepër, është ende në fazë eksperimentale, VAR-i po tregon se kontrollohet sërish nga elementi njerëzor, që ka kompetencën për të parë ashtu siç dëshiron momentet vendimtare.



