E diela e Serie A, Napoli për të mos humbur kontaktet me kreun, Roma për të dalë nga kriza
E diela vijon me emocione dhe spektakël në ekranin e Supersport. Në Serinë A, ndeshja më e rëndësishme do të jetë ajo mes Romës dhe Genoas, e cila do të luhet në orën 20:30. Kryeqytetasit nuk fitojnë prej 4 takimesh në kampionat, dhe për këtë arsye do të kërkojnë të marrin një sukses i cili do të shërbejë shumë për renditjen dhe moralin e skuadrës.Një tjetër sfidë interesante do të jetë ajo midis Cagliarit dhe Napolit të vendit të dytë. Ekipi i Ancelottit, tashmë i eleminuar nga Champions, do të kërkojë të marrë tre pikët në fushën e vështirë të sardëve, që gjithsesi po kalojnë një krizë rezultatesh.
Në orën 15:00, do të transmetohen takimet midis Sampdoria-Parma dhe Fioretina-Empoli. Sfida midis ekipit të Giampaolos dhe dukalëve do të jetë kyçe, në “luftën” që po bëjnë skuadrat për të arritur objektivin e Europa League. Sampdoria vjen si favorite, por gjithsesi Parma ka treguar karakter dhe vendosmëri gjatë këtij sezoni, dhe për këto arsye nuk mund të nënvlerësohet. Në ndeshjen mes Fiorentinas dhe Empolit, ekipi vjollcë do të kërkojë të rikthehet tek fitorja, e cila mungon që nga tetori. Megjithatë, Empoli nuk është një skuadër e lehtë, dhe do të kërkojë të dalë me pikë nga “Artemio Franchi”.
Në orën 12:30, do të luhet gjithashtu takimi midis SPAL dhe Chievo, ndeshje mjaft e rëndësishme për të dyja klubet për të mos rënë nga kategoria.



