Kategoria Superiore

E diela e Superiores, kulmon me Kamza-Skënderbeu

E diela e 18 shkurtit sjell në skenë javën e 20-të të Kategorisë Superiore. Janë 3 takimet që do të luhen sot dy në orën 14:00 dhe një në orën 17:00. Vëmendja më e madhe është në Kamëz aty ku do të përballen krysuesesit e Skënderbeut me skuadrën që i ka ndalur dy herë në 2 barazime korçarët gjatë këtij sezoni. Kamza e Ndreut do të kërkojë të përfitojë edhe nga problemet jashtë fushe që ka Skënderbeu për të bërë surprizën e madhe sot edhe pse përballë ekipit që kryeson i shkëputur kampionatin misioni do të jetë shumë i vështirë për skuadrën nga periferia e kryeqytetit. Trajneri Ilir Daja përpara kësaj sfide ka deklaruar se skuadra është totalisht e përqëndruar te dueli ndaj Kamzës dhe nuk mendon aspak për dënimin që Skënderbeu mund të marrë nga UEFA, ku rrezikon të përjashtohet për një dekadë nga kompeticionet europiane, megjithatë kjo mbetet për t’u parë dhe këtë do ta tregojë vetëm fusha e lojës.

Pas dy humbjeve radhazi në kampionat dhe kupë, Flamurtari ka mundësinë të rikthehet tek fitorja sot në orën 17:00, pasi java e 20 i vendos përballë vendit të fundit. Një sfidë që nuk duket midis të barabartëve, jo vetëm për klasifikimin e deritanishëm, por edhe mënyrën se si ekipet vijnë në këtë përballje.

Trajneri kuqezinjve Shpëtim Duro ka të plotë grupin në dispozicion, teksa edhe braziliani Juffo është rikuperuar nga dëmtimi, edhe pse gjasat janë që të lihet pushim për një rikuperim të plotë të tij. Ndërkohë në krahun tjetër, Lushnja shkon në transfertën e Vlorës nën drejtimin e asistentit Dritan Çuko, duke qenë se ende nuk është vendosur për emrin e ri të stolit pas largimit, të Hysen Dedjes.

Përveç kësaj, situata në grup nuk ka qenë e mirë, pasi një pjesë e mirë e futbollistëve kanë munguar në seancat stërvitore të kësaj jave për arsye gripale, duke e bërë akoma më të vështirë përgatitjen e transfertës së Vlorës. Në formacionin e myzeqarëve rikthehet pas skualifikimit Mikel Canka, që mungoi ndaj Vllaznisë në ‘Roza Haxhiu’.

Megjithatë dueli i fazës së dytë vlen si një leksion për kuqezinjtë, të cilët morën pikët e plota vetëm falë një eurogoli të Lejdi Liçajt në kohën shtesë. Historiku i këtij dueli është i mbushur me gola të shumta, ndërkohë që fitorja e fundit e Lushnjës në Vlorë është më 15 nëntorin e vitit 2003, me rezultatin e thellë 5-1. Por sot situata është krejt ndryshe nga ajo periudhë dhe për Flamurtarin fitorja është një detyrim, për të konsoliduar pozitat në vendin e dytë.

Nëse në pjesën e parë të sezonit Laçi dhe Luftëtari ishin dy skuadra të rrezikuara për të rënë nga kategoria, java e 20 i sheh në një duel direkt për të qenë në kontakt me zonën europiane.

Ndryshimi i trajnerëve tek të dy ekipet ka rezultuar vendimi i duhur, pasi sot bardhezinjtë dhe bluzinjtë janë të distancuar nga zona e rënies, duke shtuar oreksin për të arritur diçka më shumë.

Kurbinasit kanë arritur të fitojnë dy ndeshjet e çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë përballë gjirokastritëve, por në transfertën e fazës së parë ishte pikërisht Kristal Abazaj ai që i dhuroi fitoren Luftëtarit.

Trajneri Gentjan Mezani duhet të bëjë në këtë 90-minutësh pa goleadorin Arturo Faife Reginaldo, i cili ka plotësuar numrin e 4 kartonëve të verdhë, ndërkohë që në krahun tjetër Hasan Lika nuk ka në dispozicion mbrojtësin Lejdi Liçaj, që u ndëshkua me karton të kuq fundjavën e kaluar ndaj Teutës.

Kurbinasit nuk fitojnë në kampionat prej 22 dhjetorit të vitit të shkuar, teksa 2018-a ka sjellë si dhuratë për ta humbjen me Kamzën dhe dy barazime. Krejt ndryshe vjen Luftëtari që ka 7 ndeshje pa humbje, çka nuk ndodh që nga viti 2001, duke regjistruar 5 fitore dhe 2 barazime në kampionat.

Trajneri kryeqytetas i gjirokastritëve beson shumë tek talentet e sulmit, me 3-shen Abazaj – Bregu – Rroca në super formë, në mbështetje të ish sulmuesit të përfaqësueses së 21-vjeçarëve të Shqipërisë, Vasil Shkurtaj.

Përballjet e fundit midis tyre kanë dhuruar gjithmonë emocione dhe nga ky rregull nuk bën përjashtim as 90-minutëshi i radhës, me dy skuadrat të cilat synojnë fitoren që mund t’i japë biletën për në Europë.

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency