E diela e Supersport, spikasin Bournemouth-Arsenal dhe Sevilla-Valladolid
Në Spanjë, Sevilla do të kërkojë fitoren e pestë radhazi në Andaluzi, teksa do të presë në orën 16:15 në Ramon Sanchez Pizjuan Valladolid-in, ndërsa takimi i mbrëmjes do të luhet në orën 20:45 kur do të zhvillohet ndeshja Villarreal-Real Betis. Në orën 14:30 në Rotterdam 3 pikët janë detyrim për Feyenoord-in ndaj një kundërshtari si Groningeni, ndërkaq po në të njëjtën orë në ishull Arsenali do të kërkojë fitoren e parë pas tre barazimeve rresht 1-1 në Premiership, megjithëse për hir të së vërtetës në Vitality Stadium e pret një mision tepër i vështirë ndaj një ekipi si Bournemouth, që padyshim përfaqëson surprizën më të bukur, në këtë edicion të kampionatit anglez. Në fund si gjithmonë në Supersport do të ketë hapësirë edhe për kampionatin gjerman, me Bundesligën që ofron fillimisht në orën 15:30 duelin interesant Freiburg-Werder,ndërsa në orën 18:00 takimin Borussia Monchengladbach-Hannover, ndeshje të cilat gjithë të apasionuarit e futbollit të këtij vendi do të kenë mundësi për t’i ndjekur nëpërmjet kanalit Eurosport 2.



