Futboll

E diela në Supersport/ Interi udhëton në Firence, Reali përballet me Levanten

E diela do të jetë një ndeshje e mbushur me përballje të shumta dhe mjaft interesante, nga kampionatet më të mëdha të futbollit europian. Kështu gjithçka do të startojë në orën 12:15 me sfidën e kampionatit holandez Den Haag- Ajax, ndërsa vetëm 15 minuta më vonë, në Supersport 2 do të transmetohet sfida Sampdoria-Cagliari.

Në orën 14:30, në ekranin e Supersport 5 do të vijë një tjetër ndeshje nga kampionati holandez, përballja mes dy prej skuadrave më në formë të momentit, por edhe të viteve të fundit, PSV Eindhoven-Feyenoord.

Vetëm 30 minuta më vonë, në stadiumin “Dall’Ara” të qytetit të Bolognës, do të zbresë Juventusi, që vjen pas asaj humbjeje të rëndë 2-0, në transfertën madrilene përballë Atleticos së Madridit, në sfidën e vlefshme për Ligën e Kampionëve.

Bardhezinjtë dominojnë kampionatin italian dhe nuk njeh “shijen” e humbjes, kur kanë kaluar 24 javë, ndërsa kanë krijuar edhe një distancë prej 13 pikësh ndaj Napolit të vendit të dytë. Megjithatë trajneri Allegri ka bërë thirrje që skuadra të reagojë dhe të tregojë se pjesa e dytë në “Wanda Metropolitana” ishte vetëm një “ëndërr e keqe”.

Nga ana tjetër, Bologna lufton për mbijetesë dhe me uljen në stol të Sinisa Mihajloviçit, gjërat kanë ndryshuar dhe besimi është rritur ndjeshëm, ndaj emilianët janë gati të bëjnë maksimumin për të mos dalë pa pikë nga ky takim.

Po nga kampionati italian, në orën 18:00 do të vijë një tjetër sfidë mjaft interesante, përballja mes Parmës dhe Napolit, dy skuadra që janë në pozita komode në lidhje me objektivat e tyre, pro që vijojnë të dhurojnë një futboll mjaft të bukur në fushën e lojës.

Në mbrëmje vëmendja do të spostohet në “Artemio Franchi”, ku Fiorentina do të presë Interin, me zikaltrit që kanë mungesa në sulm, por që vijnë me moral të lartë, pas 4 fitoresh radhazi mes kampionatit dhe Europa Leagues.

Pa Icardin, Spalletti do të vijojë t’i besojë sulmuesit tjetër argjentinas, Lautaro Martinezit, në majë të sulmit, për të shpresuar në një tjetër fitore, që do të vijonte të mbante Interin në pozita komode në zonën Champions.

Nga ana tjetër Fiorentina bazohet te historia, pasi ndaj Interit i ka ecur gjithmonë mbarë në shtëpi dhe do të kërkojë marrjen e një tjetër 3-pikëshi, për t’u afruar edhe më shumë me zonën europiane të renditjes.

Sa i përket kampionatit spanjoll, do të jenë dy skuadrat e Madridit ato që do të zbresin në fushë sot, me Atleticon që do të presë në “Wanda Metropolitana” Villarealin dhe Realin që do të udhëtojë në Valencia, për t’u përballur me skuadrën e dytë të qytetit, Levanten.

Sfida Atletico Madrid-Vilalreal do të startojë në orën 16:15 dhe do të transmetohet në Supersport 4, ndërsa Levante-Real Madrid në orën 20:45, në ekranin e Supersport 3. Në orën 21:00, në Supersport 4 do të vijë përballja më e rëndësishme e mbrëmjes në kampionatin francez, Monaco-Lyon.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency