E diela në Supersport/ Reali luan derbin ndaj Rayos, sfidë për Champions në Torino
Sezoni 2018-19 padyshim është një sezon plotësisht i dështuar për Realin e Madridit dhe si rrallëherë tifozët e klubit më të lavdishëm në glob mezi presin që skuadra “merengues” të përfundojnë edhe katër ndeshjet e mbetura, për të fshirë një herë e mirë nga faqja e historisë, një edicion të mbrapshtë dhe pa asnjë trofe të fituar.
Kthimi i trajnerit të mëparshëm Zinedine Zidane vetëm sa e përkeqësoi më shumë situatën dhe “los blancos” duket sikur janë shthurur akoma më tepër, gjë që kuptohet më së miri sidomos në sfidat larg kryeqytetit. Kështu larg stadiumit “Santiago Bernabeu” ekipi madrilen ka harruar të fitojë, sepse pas disfatës në “Mestalla” me Valencian, Reali nuk ka mundur të marrë dot më shumë se barazimi në ndeshjet derbi me kundërshtarë si Leganes dhe Getafe.
Mbi të gjitha në këto katër javë të Primera Division sulmi pothuajse nuk ekziston, pasi Karim Benzema ka shënuar tetë golat e fundit radhazi për rekordmenët e futbollit spanjoll, prandaj të gjithë presin me ankth prurjet e reja që synojnë fuqizimin e skuadrës, duke patur parasysh zërat e ndryshëm që japin shpresë për injektimin e gati gjysmë miliardi nga presidenti Florentino Perez për rinovimin e kontigjentit të lojtarëve.
Të dielën në orën 20:45 në “Vallecas”, Reali do të luajë një tjetër derbi, këtë herë përballë Rayo-s, që është pothuajse me të dyja këmbët në Segunda Division. Vendasit mbyllin klasifikimin e kampionatit spanjoll dhe ekipi i drejtuar nga Paco Jemez rrezikon ndjeshëm, pasi Rayo ka humbur radhazi 17 përballjet që këto dy klube kanë patur në mijëvjeçarin e ri, ndërkaq me kureshtje pritet gjithashtu edhe dueli i orës 14:00 Girona – Sevilla, pasi të dy ekipet luajnë një pjesë të mirë të sezonit, për ambiciet e ndryshme që ushqejnë si për Zonën Champions ashtu edhe për qëndrimin në elitën e futbollit spanjoll të klubeve.
Në Itali dueli i mbrëmjes është Torino-Milan. Një ndeshje direkte për Zonën Champions, duke patur parasysh që kuqezinjtë kryesojnë ndaj ekipit granata me vetëm 3 pikë më shumë. Skuadra e Gatuzos ka fituar vetëm takimin me Lacion në 6 takimet e fundit të kampionatit italian, gjithsesi Milanit i nevojiten patjetër tre pikët për t’iu kundërpërgjigjur Romës.
Katër sfidat e fundit ndërmjet dy klubeve janë mbyllur në barazim, sidoqoftë në orën 20:30 në Stadiumin Olimpik të Torinos trajneri Walter Mazzarri nuk do të ketë në dispozicion dyshen Basellli – Zaza për shkak kartonësh. Më herët nevojë për 3 pikët ka gjithashtu edhe ekipi i Lacios, që viziton në orën 18:00 në stadiumin “Luigi Ferraris” skuadrën e Sampdorias, ndërsa në orën 15:00 interes ngjallin gjithashtu edhe takimet Spal – Genoa e Chievo – Parma, që pritet të vendosin shumë për zonën e ftohtë të Serisë A.
Në Francë sfida e mbrëmjes është Marseille – Nantes, gjithsesi në fund një hapësirë të veçantë natyrisht e zë edhe Bundesliga, që ofron fillimisht në orën 15:30 duelin Hoffenheim – Wolfsburg dhe më pas në orën 18:00 takimin Nurnberg – Bayern, ndeshje të cilat gjithë të apasionuarit e futbollit gjerman do të kenë mundësi t’i ndjekin si zakonisht nëpërmjet Kanalit Eurosport 2.



