E diela në Supersport/ Reali pret Alavesin, PSG udhëton në Lyon
Reali i Madridit kërkon fitoren e katërt radhazi në Primera Division, që nga marsi i vitit 2018, teksa do të presë në kryeqytet në orën 20:45 klubin bask, Deportivo Alaves. Pasojat e muajit tetor, kur “los blancos” pësuan tre humbje, e madje nuk grumbulluan asnjë pikë, vazhdojnë të ndihen sepse pavarësisht përpjekjeve të shumta, diferenca me kampionët në fuqi është ende 10 pikë.
Në fakt gjithçka filloi në “Mendizorroza”, pas golit të shënuar nga mesfushori Manu Garcia në minutën e 95-të, sepse siç dihet, në muajin tetor disfata me skuadrën baske u shoqërua në vijim edhe me humbjet me Levanten brenda në “Santiago Bernabeu”, si dhe me turpin e “Camp Nou”-t, ku ekipi “merengues” u poshtërua 5-1 nga Barça.
Si për ironi të fatit kalendari është pothuajse i njëjtë. Shorti vuri përballë pikërisht Realin me Barcelonën në fazën gjysmëfinale, prandaj është e kuptueshme që “los blancos” duhet të fillojnë të mendojnë që tani edhe për “el clasicon” e ditës së mërkurë, pasi Kupa e Mbretit natyrisht përfaqëson edhe mundësitë më të mëdha që ka Reali për të siguruar trofe nga ky sezon.
Deportivo Alaves, që drejtohet nga ish-mbrojtësi i Barcës Abelardo, është paraqitur mirë dhe për momentin pozicionohet në zonën evropiane. Trajneri Santiago Solari në krahun tjetër nuk do të ketë në dispozicion dyshen mbrojtëse Varane-Dani Carvajal, sidoqoftë në “Santiago Bernabeu” Reali ka fituar pa shumë vështirësi përballjet e fundit ndërmjet dy klubeve, madje skuadra baske numëron plot 16 vjet pa shënuar në këtë stadium.
Më herët në orën 16:15 do të luhet takimi tjetër i ligës spanjolle Real Betis-Atletico Madrid. Në “Benito Villamarin” bardhjeshilët nuk e mundin Atletikon prej plot 13 vjetësh, për më tepër të enjten në mbrëmje ekipi andaluzian do të presë në këtë stadium në gjysmëfinalen e vajtjes në Kupën e Mbretit, skuadrën e Valencias.
Trajneri Simeone nuk do të ketë probleme me formacionin, ndaj me shumë gjasa në këtë takim do të bëjë debutimin përpara në krah të sulmuesit tjetër Antoine Griezmann pikërisht Alvaro Morata, që u rrit për një dekadë në aspektin futbollitik deri në moshën 15-vjecare te “los colchoneros”.
Le Championnat do të vijë me supersfidën Lyon-Paris SG, një test i mirëfilltë për dominuesit e futbollit francez, duke patur parasysh që në horizont po shfaqet dueli me Barçën në Champions.
Në Holandë kampionët në fuqi të PSV-së do të përballen në orën 14:30 në Eindhoven me Fortunën e Sitardit, ndërkaq si gjithmonë në Supersport nuk do të mungojë as Bundesliga, me kampionatin gjerman që ofron fillimisht në orën 15:30 takimin Augsburg – Mainz dhe më pas në orën 18:00 sfidën Stuttgart – Freiburg, ndeshje të cilat gjithë të apasionuarit do të kenë mundësi për t’i ndjekur nëpërmjet Kanalit Eurosport 2.



