E diela në Supersport/ Spikat Lazio-Juve, në Holandë ka derbi
Reali i Madridit vazhdon misionin për të bërë përpara me hapin e skuadrave të tjera kryesuese dhe të dielën në mbrëmje natyrisht ekipi i Santiago Solarit synon 3 pikët në takimin e orës 20:45 me Espanjolin. Pasi mposhti dy skuadrat andaluziane Seviljen dhe Betisin, në ligën spanjolle, Reali përmbysi disavantazhin e fillimit, për të siguruar fitoren 4-2 ndaj Girona-s në Kupën e Mbretit.
Një fitore tepër e rëndësishme që përveç qetësisë tashmë i jep ekipit merengues edhe mundësinë për të administruar një avantazh, që me shumë gjasa do ta kualifikojë për në fazën gjysmëfinale të Kupës së Spanjës. Miqtë kanë një rast të shkëlqyer duke patur parasysh kontigjentin e reduktuar të bardhebluve, si dhe energjitë e harxhuara nga ekipi i Rubit, që ndonëse kryesoi për pjesën më të madhe të ndeshjes, përsëri në fund dështoi për të ruajtur epërsinë ndaj Real Betisit, në çerekfinalen tjetër të Kupës së Mbretit.
Duke patur parasysh dëmtimet te Reali të dy ekipet pra kanë probleme në formacion, sidoqoftë vlen të kujtohet fakti që në përballjen e fundit ndërmjet tyre në Katalunjë, 11 muaj më parë, Espanjoli mposhti “los blancos”, që asokohe drejtoheshin nga Zinedine Zidane me një gol të Gerard Morenos në 93′ të ndeshjes.
Më herët në orën 16:15 në Primera Division do të luhet derbi i vogël i Katalunjës, Girona-Barcelona, ku “blaugranat” ka një rast të mirë për të siguruar fitoren e tetë radhazi në kampionatin spanjoll. Në mesjavë Ernesto Valverde la jashtë gjysmën e skuadrës dhe ekipi “blaugrana” vuajti pasojat në “Ramon Sanchez Pizjuan”, teksa u mund 2-0 në kupë nga Sevilja, sidoqoftë kampionati përbën prioritet për Barçën dhe pavarësisht barazimit 2-2 të fazës së parë në “Camp Nou”, këtë herë kampionët në fuqi do të bëjnë maksimumin për të ruajtur epërsinë prej 5 pikësh me Atletikon e Madridit.
Në Itali përveç ndeshjes Lazio-Juventus, spikat gjithashtu edhe dueli i orës 18:00 Torino-Inter. Zikaltërit i pret një ndeshje e vështirë, pasi në shtëpi ekipi granata ka humbur vetëm 1 nga 5 përballjet e fundit ndërmjet tyre, për më tepër ekipi i Spallettit do të ketë një duel tepër të fortë të enjten e ardhshme në Kupën e Italisë, në takimin çerekfinal me Lacion. Më herët në orën 15:00 po në Serinë A do të luhen gjithashtu edhe ndeshjet Atalanta-Roma e Parma-Spal.
FA Cup rezervon në turin e katërt në orën 17:00, derbin londinez Crystal Palace-Tottenham Hotspur dhe duelin Chelsea-Sheffield Wednesday në orën 19:00, ndërkaq në Francë Le Championnat java e 22 do të mbyllet me takimin e orës 21:00 Paris SG-Rennes. Në Eredivisie në orën 14:30 do të zhvillohet derbi i famshëm i Holandës Feyenoord-Ajax, ndërsa në 16:45 java e 19 do të mbyllet me sfidën Heerenveen-Alkmaar.
Në Supersport si gjithmonë nuk do të mungojë as kampionati gjerman, me Bundesligën që ofron fillimisht në orën 15:30 duelin Bayern-Stuttgart dhe më pas në orën 18:00 takimin Dusseldorf-Leipzig, ndeshje të cilat gjithë të apasionuarit do të kenë mundësi për t’i ndjekur nëpërmjet kanalit Eurosport 2.



