E ndarë në dy ditë, mësoni kalendarin e Superiores për javën e 21-të
Abissnet Superiore do të zbresë sërish në fushë këtë fundjavë për të luajtur javën e 21-të, teksa ajo do të jetë e ndarë në dy ditë, të shtunën dhe të dielën. Kryendeshja e së shtunës do të jetë padyshim ajo e orës 16:45 në Air Albania ku Partizani do të presë Vllazninë ndërsa të dyja skuadrat vijnë në një formë të mirë, pas fitoreve respektive ndaj Skënderbeut dhe Teutës. Ndërkaq, të kuqtë dhe shkodranët kanë edhe një duel në distancë për klasifikimin duke qenë se ekipet ndahen me vetëm pesë pikë në klasifikim.
Ndërkohë, po të shtunën në orën 13:45, luhet edhe ajo që konsiderohet si finalja e mbijetesës mes Egnatias dhe Skënderbeut, me korçarët që janë në një krizë rezultatesh pas katër humbjeve radhazi, ndërsa rrogozhinasit nuk marrin pikë në dy ndeshjet e fundit. Sakaq, të dielën, bie në sy sfida mes Laçit dhe Kukësit.
Një duel i drejtpërdrejtë mes dy ekipeve që pretendojnë të vazhdojnë deri në fund luftën e titullit, ndërsa kurbinasit janë në një formë të shkëlqyer pas katër fitoreve radhazi, teksa nga ana tjetër, verilindorët kanë fituar në dy ndeshjet e fundit. Ndërkaq, po në orën 13:45, kryesuesit e Tiranës luajnë në transfertë ndaj Kastriotit.
Bardheblutë janë në një ecuri prej katër fitoresh radhazi dhe do të kërkojnë vazhdimësinë ndërsa krutanët janë të përfshirë në luftën e mbijetesës dhe pikët i kanë jetike në këto momente. Sakaq, në orën 16:45, do të mbyllë javën ndeshja mes Teutës dhe Dinamos, dy skuadra që në këtë sezon kanë zhgënjyer pritshmëritë e fillimsezonit.




