“E nisëm keq pjesën e dytë”, Arteta: E dua guximin e djemve, Saka i pamëshirshëm
Arsenali siguroi një tjetër fitore, e katërta radhazi në Premier League. Djemtë e Mikel Artetës triumfuan 0-1 në transfertë ndaj Leeds United falë golit të Bukayo Saka në pjesën e parë, ndërkohë që vendasit humbën një penallti në fraksionin e dytë të takimit.
Gunners kryesojnë kampionatin anglez me 27 pikë të grumbulluara. Trajneri spanjoll i gëzohet triumfit, por kritikon ekipin për lojën e zhvilluar në pjesën e dytë. Arteta u ndal edhe te Saka, i cili po kalon një moment fantastik dhe deri tani numëron 4 gola dhe po kaq asiste në Premier League.
“Pjesën e dytë nuk e nisëm me ritmin e duhur, nuk po merrnim vendimet e duhura dhe u futëm në telashe të mëdha. Gjithsesi, unë e dashuroj elasticitetin, shpirtin luftarak, karakterin dhe guximin e djemve të mi.
Saka? Dua të kem në ekip lojtarë të rinj dhe të fortë, të cilët fitojnë vazhdimisht ndeshje, ndikojnë në rezultatet e arritura dhe janë të pamëshirshëm para portës kundërshtare”, deklaroi trajneri i skuadrës londineze.



