E pati lajmëruar Supersport, Zeqiri zyrtarizohet në klubin e Premier League
Ashtu siç pati paralajmëruar Supersport që në fillim të javës, sulmuesi 21-vjeçar me origjinë nga Kosova, Andi Zeqiri është transferuar zyrtarisht te klubi i Brighton, që militon në Premier League-n angleze.
I lindur dhe rritur në Lozanë, Zeqiri është rritur te skuadra e qytetit, me të cilën ka debutuar edhe në futbollin profesionist, ndërsa sezonin e kaluar ndihmoi ekipin që të ngjitet në Superligën e Zvicrës, duke shënuar 22 gola.
Futbollisti ka pasur edhe një eksperiencë të shkurtër te të rinjtë e Juventusit, ndërsa pikërisht në ambientet e klubit bardhezi kreu edhe vizitat mjekësore të hënën, për t’u nisur rezultatet drejtuesve të klubit të Brighton.
Menjëherë pas vizitave mjekësore, edhe babai i Andit, Avdi Zeqiri konfirmoi negociatat me Brighton në një lidhje direkte me emisionin “Koha Shtesë” në Supersport, ndërsa pasditen e sotme erdhi edhe firma mbi kontratën 4-vjeçare.
Andi Zeqiri ka përfaqësuar Zvicrën në të gjithë nivelet deri te skuadra U21, por së fundi ka konfirmuar se do të veshë fanellën e Kosovës. Edhe babai i tij konfirmoi për Supersport se Andi ka kryer të gjithë procedurat e nevojshme dhe po pret lejen e FIFA-s për të veshur fanellën e “Dardanëve”.



