E përndjekin hijet e rënies, Tirana duhet t’i dalë zot vetes
Retë e zeza janë rikthyer në qiellin e Tiranës. Bardheblutë, edhe pse për një moment u duk sikur rimorën veten, me skuadrën që arriti disa rezultate pozitive, tashmë duhet t’i bëjë llogarit ndryshe. Hijet e së shkuarës janë rikthyer. Dukshëm ekipin e ka përfshirë edhe paniku, pasi edhe vëmendja ndaj tyre është me e madhe nga ana e opinionit sportiv dhe lojtarët këtë lloj presioni nuk po arrijnë dot ta manaxhojnë.
Kalendari për ta solli sfidën e radhës me Kamzën e përjashtuar, 3 pikë për bardheblutë në tavolinë dhe kohë e mjaftueshme në dispozicion për të rikuperuar energjitë, sidomos në aspektin psikologjik. Tirana nuk duhet të ndjekë rezultatet e rivalëve që luftojnë për mbijetesë, pasi në të kundërt do ta shtonte akoma edhe më shumë presionin.
Bardheblutë i kanë të gjithë mundësitë për ta kaluar sërish detin me dallgë, edhe pse duelet e radhës nuk do të jenë edhe aq të thjeshta. Do të nisë që nga kjo fundjavë në transfertë me Teutën.
E ndodhur në të tilla kushte, Tiranën e shpëton vetëm vetja, por ndoshta dikush mund të shpresojë që në ndihmë t’i vijë edhe fati. Sidoqoftë, mbi të gjithë ekipi i Memës duhet të kuptojë peshën e fanellës dhe vetëm ky fakt do t’i mjaftonte për kaluar çdo vështirësi.



