E pret Bari, Memushaj projektohet titullar në Bologna – Benevento
Në pritje të një transferimi të mundshëm në radhët e Barit në Serinë B, Ledian Memushaj projektohet titullar nga trajneri i Beneventos, De Zerbi, për transfertën me Bolongan. Mediat italiane kanë raportuar ditët e fundit se mes futbollistit të Kombëtares Shqiptare dhe klubit puljez është arritur marrëveshja, ndërsa Benevento do të përfitojë 500 mijë euro nga kartoni i tij. Shtyrja e zyrtarizimit të marrëveshjes për javën e ardhshme është bërë pikërisht për shkak të ndeshjes me Bolognan, ku 31-vjeçari është i nevojshëm në formacion. Nga minuta e parë pritet të luajë edhe Berat Gjimshiti, tjetër futbollist kuqezi që është pjesë e skuadrës që mbyll klasifikimin e Serisë A. Pas një starti katastrofik të sezonit, Benevento e mbylli vitin me 2 fitore radhazi, që ka ngjallur disi shpresat për mbijetesë.




