E rëndë/ Kreu i FFK-së dhunohet nga disa persona të maskuar
Presidenti i Federatës së Futbollit në Kosovë, Agim Ademi është sulmuar dhe dhunuar nga disa njerëz mëngjesin e sotme në parkun e qytetit të Prishtinës, në Gërmi. Lajmi u dha fillimisht nga mediat në Kosovë, ndërsa më pas ishte edhe vetë kreu i FFK-Së që sqaroi gjithçka në një deklaratë zyrtare të publikuar në faqen e institucionit që ai drejton.
Ademi sqaron se është sulmuar befasisht dhe se është mirë me shëndet, teksa thekson se aktualisht janë organet policore ato që po hetojnë për të gjetur dhe vënë para drejtësisë dhunuesit.
Ja deklarata e plotë e kreut të FFK-së:
Duke pasur parasysh interesimin e madh të dashamirëve dhe të opinionit publik pas raportimit për sulm fizik ndaj meje, fillimisht dua të ju informoj se jam mirë me shëndet dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë lëndim siç është raportuar.
Është e vërtetë që sot rreth orës 8:00 jam sulmuar fizikisht nga persona të maskuar në parkun e Gërmisë, aty ku çdo ditë e praktikoj ecjen dhe vrapimin në natyrë.
Personat në fjalë më sulmuan në mënyrë tinzare, por që fatmirësisht kalova pa lëndime serioze.
Lidhur me këtë rast është informuar edhe Policia e Kosovës, e cila tashmë është duke i kryer hetimet. Shpresoj dhe besoj se shumë shpejt personat e tillë do të dalin para organeve të drejtësisë dhe do të marrin dënimin e merituar.
Përkundër sfidave në punë, por edhe pengesave të këtij lloji, do të vazhdoj me tërë energjinë time t’i shërbej futbollit dhe ngritjes së mëtejme të FFK-së.
Vazhdojmë me krenari e përgjegjësi!
Me respekt,
Agim Ademi, president



