E rëndë, ndahet nga jeta në moshën 31-vjeçare, futbollisti maroken!
Një tjetër humbje e rëndë në futboll. Ndahet nga jeta në moshën 31-vjeçare për shkak të sëmundjeje të rëndë siç ishte kanceri në stomak ish-lojtari i përfaqësueses marokene Mohamed Abarhoun. 31-vjeçari e zbuloi se vuante nga kjo sëmundje e rëndë në muajin shkurt kur ishte pjesë e Rizespor në Turqi. Lajmin e largimit të tij nga jeta e njoftoi vetë klubi përmes një deklarate për shtyp. “Kemi mësuar me trishtim lajmin e vdekjes së Mohamed Abarhoun, i cili trajtohej prej kohësh. Zoti e mëshiroftë dhe ngushëllime të afërmve dhe familjarëve”, shkruhet në deklaratën e klubit. Abarhoun luajti shtatë vite në Marok për Moghreb Tetouan, ku fitoi dy tituj kampion, para se të transferohej në ekipin portugez Moreirense, të cilin e la vitin e kaluar për t’u bashkuar me Rizespor. Në nivel kombëtareje mbrojtësi ndihmoi ekipin U23 të Marokut që të kualifikohej për Lojërat Olimpike 2012 në Londër dhe u aktivizua në dy ndeshje. Ai gjithashtu luajti për Marokun në kampionatin e Kombeve Afrikane 2014 si dhe në dy ndeshje miqësore.



