E shtuna futbollistike në Supersport, spikasin Leicester-Chelsea dhe M.United-Wolves
E shtuna futbollistike në Supersport nuk është vetëm La Liga pasi në këtë të shtunë në ekranin tonë do të transmetohen sfida nga të gjitha kampionatet më të rëndësishme në Europë. Në Premier League të vlefshme për javën e 25-të luhen dy takime vërtetë intriguese. Në orën 13:30 Leicester City, skuadra surprizë e këtij sezoni pret në King Power Stadium Chelsea-n. 8 pikë është diferenca në renditje mes dy skuadrave me Leicester-in e Brendan Rodgers që do të kërkojë të fitojë edhe përballë bluve të Londrës për të hipotekuar një vend në Champions League për sezonin e ardhshëm. Abraham është në dyshim për këtë sfidë dhe nëse nuk luan do të jetë një problem i madh për trajnerin Frank Lampard i cili nuk ka në dispozicion as amerikanin Pulisic. Pas 2 humbjeve rresht do të kërkojë të rikthehet te suksesi edhe Manchester United në sfidën delikate ndaj Wolves në Old Trafford. Pa Rashford dhe Pogba, djajtë e kuq do të kërkojnë të mbështetjen te blerja e re Bruno Fernandes me portugezin e United që do të debutojë ndaj kolonisë luzitane të Wolves. Objektivi Champions për Manchester United kalon pikërisht nga kjo sfidë. Në Gjermani, Bayerni ka një sfidë të lehtë në letër pasi sfidon Mainz në orën 15:30 në transfertë, ndërkohë që Leipzig në orën 18:30 luan ndaj Borussia Monchengladbach në shtëpi. Në Itali java e 22-të nis me takimin Bologna-Brescia, ndërsa më vonë Cagliari do të presë në shtëpi Parmën dhe në mbrëmje Sassuolo do të sfidojë Romën. Nga Eredivisie sfida më e rëndëishme e kësaj të shtune është ajo mes Feyenoord dhe Emmen.



