E thonë shifrat, Napoli me hap kampioni
Napoli ka mbyllur vitin 2017 me fitoren 0-1 ndaj Crotones, duke u shpallur njëkohësisht edhe kampion dimri në Serinë A. Skuadra e Sarrit arriti të mbyllë 2017-ën me plot 99 pikë, shifër rekord për këtë skuadër, ndërsa Sarri tani nuk e fsheh më synimin për triumfin në kampionat.
“Kemi bërë 99 pikë, por fatkeqësisht në dy sezone të ndryshme. Tani është koha të marrim frytet e punës së mirë të bërë këto kohë”, u shpreh Sarri pas ndeshjes.
Napoli është për titull dhe këtë e konfirmojnë edhe shifrat, teksa ‘të kaltrit’ kanë grumbulluar plot 48 pikë në 19 javët e para, duke regjistruar 15 fitore, 3 barazime dhe vetëm 1 humbje. Gjithashtu, skuadra e Sarrit nuk humb prej 23 takimesh në transfertë, që nga tetori i 2016-ës, në sfidën ndaj Juventusit në ‘Allianz Stadium’.
Gjithashtu, napolitanët kanë arritur të dërgojnë topin në rrjetë plot 42 herë dhe plot 96 herë gjatë gjithë 2017-ës, duke barazuar rekordin që mbahej nga Juventusi i vitit 1952.
Të gjitha këto shifra konfirmojnë se napolitanët janë në rrugën e duhur për të fituar titullin kampion, por deri atëherë, janë për t’u luajtur edhe 19 sfida dhe me Juventusin, Interin e Romën pas shpine, gabimet mund të rezultojnë fatale.



