E trishtë/ Probleme në zemër, ish-shoku i Haaland tërhiqet në moshën 24-vjeçare
Enock Mwepu luan si qendërmesfushor, numëron 24 ndeshje dhe 6 gola me kombëtaren e Zambias, ndërkohë që verën e kaluar u transferua nga Salzburgu te Brighton në Premier League për 23 milionë euro.
Lojtari afrikan është vetëm 24 vjeç, por problemet në zemër e kanë detyruar të tërhiqet nga futbolli në moshë të re. Kontrollet e detajuara mjekësore kanë dalë negative, me Mwepu që ka marrë vesh lajmin që kurrë nuk do donte ta dëgjonte.

Zemra e tij ka probleme të trashëguara dhe mesfushori nuk mund të zbresë më në fushat e blerta. Sivjet ka luajtur në gjashtë sfida të Premier League, duke regjistruar një asist në triumfin 5-2 ndaj Leicester City.
Gjatë kohës që luante në Austri me Salzburgun, Mwepu ishte një “xhol” dhe kishte aftësinë të mbulonte mbi gjashtë pozicione të ndryshme në fushë. Shokët e thërrisnin “Kompjuteri” për shkak të aftësive të tij në mesin e fushës, saktësisë dhe inteligjencës së madhe.
Problemet në zemër po kthehen në një problem të madh për futbollistët. Sergio Aguero u detyrua të tërhiqej pa e shijuar aspak aventurën te Barcelona, teksa edhe Christian Eriksen vuajti nga një problem i tillë në Euro 2020, aty ku pësoi një arrest kardiak që i rrezikoi karrierën.




