E zbulon van Gaal, si bashkëshortja e Thomas Muller bllokoi kalimin te Man. United
Louis van Gaal, ka zbuluar një prapaskenë të merkatos së vitit 2015, që pengoi sulmuesin e Bayerit, Thomas Muller, t’u bashkohej “Djajve të Kuq”, që në atë kohë drejtoheshin pikërisht nga trajneri holandez. 70-vjeçari ka treguar se bashkëshortja e sulmuesit gjerman u bë pengesë për transferimin e tij në “Old Trafford”.
Klubi u famshëm anglez u përpoq në të paktën dy raste për të siguruar shërbimet e “bomberit” të gjigantëve bavarezë, që pëlqehej shumë nga van Gaal, pasi të dy kishin punuar te Bayerni në periudhën 2009-2011.
“Bild” ka nxjerrë në dritë arsyet pse nënshkrimi nuk u realizua, duke iu referua fjalëve të holandezit, i cili bën përgjegjëse bashkëshorten e sulmuesit. Oferta e Manchester United ishte 100 milionë për Bayernin dhe pagë 18 milionë euro në sezon për Mullerin.
“Në 2015 ky transferim do të bëhej i mundur nëse bashkëshortja e tij do të kishte qenë pak më e hapur për një transferim jashtë vendit. Të paktën kjo ishte arsyeja që Thomas i dha ndihmësit tim, Marcel Bout, i cili kishte bërë të gjitha bisedat me të, se pse e kishte refuzuar transferimin”.



