ECA del kundër FIFA-s për formatin e ri të Botërorit të Klubeve
Vetëm pak ditë më parë, presidenti i FIFA-s njoftoi miratimin e një formati të ri të botërorit për klube, që duke filluar nga viti 2021 parashikohet të zhvillohet një herë në 4 vite dhe me pjesëmarrjen e 24 skuadrave.
Megjithatë entuziazmi duket se ka filluar të venitet, pasi Shoqata e Klubeve Europiane (ECA) ka folur nëpërmjet drejtuesit Andrea Agnelli, duke hedhur poshtë këtë mundësi, që duket se për momentin nuk mund të funksionojë.
“Ne kemi qenë të qartë me FIFA-n, që nuk mund ta mbështesim këtë projekt. Biem dakord për faktin që formati aktual nuk tërheq aspak, por për të kaluar te projekti i FIFA-s duhet modifikuar shumë detaje. Aktualisht po luajmë një numër shumë të madh ndeshjesh dhe duhet balancuar, pasi në liga të caktuara luhet shumë pak”, tha Agnelli.
Megjithatë, aktualisht ECA është kundër pasi po punon për një riorganizim të Ligës së Kampionëve, që synon ta shndërrojë kompeticionin në një ligë europiane, që do të funksionojë si një kampionat lokal.



