Edhe Mourinho bën marrëveshje me autoritetet për të shmangur burgun
Trajneri portugez José Mourinho rrezikonte dënimin më një vit burg dhe 2 milionë euro gjobë për evazion fiskal. The “Special One” akuzohet se u ka fshehur autoriteteve tatimore të ardhurat e imazhit në vitin 2011 dhe 2012, ne vleren e 3.3 milionë eurove dhe këtë e ka bërë nëpërmjet shfrytëzimit të disa kompanive të ndryshme spanjolle.
Detajet e marrëveshjes së arritur mes 56-vjeçarit dhe autoriteteve tatimore në Spanjë, këtë të martë, në Madrid, flasin se tashmë dënimi me një vit burg është konvertuar me një gjobë prej 182.500 eurosh, krahas gjobës prej 2 milionë eurosh.
Trajneri i suksesshëm, por aktualisht pa një klub, Mourinho duhet të rimbursojë njëherazi edhe dëmin e shkaktuar në vlerën e 3.3 milionëve.
Në muajin korrik ai pati paguar një shifër prej 462.000 eurosh nga vlera e 3.3 milionëve, ndërkohë që i mbetet edhe shifra 2.84 milionë euro për të mbyllur dëmin e shkaktuar nga evazioni fiskal e që do të mbyllë kështu çështjen e tij me shtetin spanjoll.
Një numër i madh lojtarësh, mes tyre dhe Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, janë akuzuar nga autoritetet tatimore për evazion. Duket sikur është kthyer në një sindromë e viteve të fundit, por të gjithë “i kanë larë hesapet” e tyre me autoritet përkatëse.



