Kategoria Superiore

“Edhe shkopin, edhe karotën”, strategjia e suksesshme e Pacult

Peter Pacult morri drejtimin e Kukësit në muajin Janar pa shpalosur objektiva konkretë. Skuadra kampione vinte nga një periudhë zhgënjyese nën udhëheqjen e Milinkoviç, e mbushur me rezultate negative, të miksuara me lojë jo tërheqëse, duke bërë që detyra e marrë përsipër nga tekniku austriak, të mos ishte më e thjeshta e mundshme.

Tashmë që sezoni po i drejtohet fundit, Pacult mund të cilësohet pa mëdyshje një zgjedhje mjaft e zgjuar e presidentit Gjici, pasi ecuria në kampionat ka qenë më e mirë se askush për vitin 2018. 33 pikë të grumbulluara, asnjë humbje ndaj Skënderbeu e Partizanit, madje një bilanc thuajse i përsosur prej 3 fitoresh dhe një barazim në 4 sfidat e zhvilluara kundër ‘demave’ dhe ‘bardhekuqve’.

Në 15 takimet që ai ka drejtuar deri më tani blutë në Superiore, ka koleksionuar 10 fitore, 3 barazime dhe 2 humbje, kundër Kamzës e Luftëtarit. Çdo trajner ka mënyrën e vet të të punuarit dhe 58-vjeçari, i cili në karrierë e ka shijuar edhe titullin kampion në kohën kur qëndronte në krye të Rapidit të Vjenës më 2008-ën, ka gjetur të mesmen e artë.

Pacult është një “gjeneral i hekurt” në seancat stërvitore, ku nuk lejon shakatë e tepruara dhe pretendon që lojtarët të ekzekutojnë çdo ushtrim apo skemë me maksimumin e seriozitetit, ose të zbatojnë me përpikëri fjalët e tij, si në stërvitje, ashtu edhe në ndeshje.

Rasti më i fundit me Elton Kale konfirmoi se nëse nuk i qëndron strikt udhëzimeve, mund të largohesh nga loja edhe pas vetëm 40 minutash, ndërkohë që në momente të caktuara i jep të drejtën e relaksit futbollistëve të tij, duke hequr “veshjen e gjeneralit” për tu shndërruar në një shok i ngushtë i lojtarëve.

Deri më tani kjo mënyrë po rezulton më se efikase, pasi askush nuk ankohet, përkundrazi grupi po funksionon me përsosmëri. Ndoshta pengu më i madh i presidentit është zbulimi me vonesë i një trajneri me kaq shumë cilësi.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency