Kategoria Superiore

Edi Rama: S’ndalemi vetëm te stadiumi, ja projektet e reja për sportin

Në pushim mes pjesëve të ndeshjes Kukësi – Laçi, Kryemistri Edi Rama mori fjalën para medieve, duke u premtuar kuksianëve dhe jo vetëm që investimet në sport nuk do të mungojnë dhe se qeveria ka projekte të tjera për investime të rëndësishme në këtë fushë.

“Ajo që po i thosha presidentit të FSHF-së ishte që impiantet e reja, me të gjitha kushtet që ofrojë, ndryshojnë përmbajtjen e ndjekësve. Shikon vajza, familje që janë së bashku, me djem dhe burra, dhe ndien frymëmarrjen më paqësore dhe shumë më sociale të stadiumit. Nga ana tjetër, ky është moment i bukur, sepse mbaruam një punë që pati vështirësitë e veta për shkak të pandemisë dhe nga problematikat që së fundi janë shfaqur në industrinë e ndërtimit për shkak të rritjes së çmimeve.”

Fushat e stërvitjes: “Duhet të shikojmë për më tuje, ajo që ka rëndësi është që puna nuk ndalet vetëm tek stadiumi. Do të bëhet edhe fusha e stërvitjes, janë edhe dy fusha të tjera që po ndërtohen edhe me ndihmën e FSHF-së, që fëmijët të përfshihen në lëvizjen futbollistike.”

Sporti nëpër shkolla: “Ne, si qeveri, në bashkëpunimin me KOKSH-in po nxitim dhe do të shihen shumë shpejt frytet e një lëvizjeje sportive nëpër shkolla me skuadrat e lojërave me dorë. Sporti ka shumë të mira, por ka nevojë të madhe për mbështetje dhe koordinim të gjithë institucione. Duhet ta mbyll me dëshirën dhe ambicien që siç kemi bërë me ndërtimin e këtyre stadiumeve, nuk po e them stadiumin e radhës, presim projektet dhe iniciativat e drejtuesve, sponsorëve apo pronarëve të klubeve, ndryshe nuk është e thejshtë të ndërtohet një stadium.”

Finalja e “Conference League”: “Ky vit shënon një kulm për aktivitetin sportiv në vendin tonë, sepse për herë të parë në histori do të presim një finale europiane të futbolit në “Air Albania”, diçka e paimagjinueshme deri disa vite më parë. Kombëtarja s’kishte shtëpi ku të luante e tani u bë realitet.”

Vijimi i investimeve. “Duke i uruar më të mirën Safetit si president i skuadrës dhe gjithë komunitetit kuksian, u themi që nuk do të ndalemi këtu. Stadiumi dhe aeroporti sjellin të tjera investime. Nga ana jonë, ka shumë për të bërë jo vetëm në aspektin sportiv. Do të kthehemi në Kukës për të parë hapjen e urës së madhe që do të jetë një investim i madh e që do të lehtësojë lëvizjen e banorëve të Kukësit dhe me anën tjetër të kufirit.”

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency