Merkato

Edin Dzeko në udhëkryq, mes Romës, Los Angeles Galaxy dhe…

Deri një muaj më parë, largimi i Edin Dzeko nga Roma konsiderohej pothuajse i sigurt, por me “heqjen qafe” të trajnerit portugez, Fonseca, dhe ardhjen e José Mourinhos, skenarët mund të ndryshojnë. Sulmuesi boshnjak, i cili në përfundim të derbit të fituar ndaj Lazio doli nga fusha me ovacionet e tifozëve, që e konsideruan si sfidën e fundit të tij me fanellën verdhekuqe, mund të qëndrojë në “Qytetin e Përjetshëm”, sepse është i intriguar nga mundësia për të bashkëpunuar me “Special One”. Portugezi është një trajner karizmatik, që gjithmonë u del në mbrojtje futbollistëve të tij, veçanërisht atyre të vijës së parë.

Çdo skenar mbetet i hapur, për këtë arsye, javën e ardhshme, Alessandro Lucci, përfaqësuesi i Dzekos, do të takohet me drejtorin e përgjithshëm të Romës, Tiago Pinton, për të kuptuar gjithashtu se cili është pozicioni i klubit në lidhje me sulmuesin 35-vjeçar dhe të ardhmen.

Sigurisht, mbetet në fuqi hipoteza e shitjes, sepse nuk mungojnë skuadrat që e admirojnë numrin 9. Në Europë sigurisht që do të ishte e vështirë të gjendej të blerës, i gatshëm për t’i ofruar pagën që përfiton te Roma: 7.5 milionë euro neto në sezon.

Në orët e fundit është zbuluar interesi i Los Angeles Galaxy, një klub që i ka mirëpritur “yjet” europianë të futbollit. Në skuadrën kaliforniane luan një emër i rëndësishëm si Javier Hernández, i njohur si “Chicharito”, ish-sulmuesi i famshëm i Manchester United.

Zërat për transferimin e Dzekos në Kaliforni bëhen edhe më seriozë nga fakti që vajza e madhe e futbollistit boshnjak, Sofia, ka zgjedhur një kolegj në Los Angeles për të vazhduar studimet. Një qytet që e njeh mirë edhe bashkëshortja e tij, Amra Dzeko, e cila në vitin 2010 u transferua në Los Angeles për të bërë karrierë si modele. Pikërisht në këtë qytet forcoi marrëdhënien me Edinin, kur ky i fundit ndodhej atje në një turne me Manchester City-n.

Një tjetër të dhënë e zbulon një menaxher boshnjak, sipas të cilit “në ambientin e lojtarit është folur që Dzeko do të shkojë te Los Angeles Galaxy”, por pa zbuluar më shumë detaje.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency