Featured

Efekti Xhixha-Seferi/ Tirana shënon më shumë se në kampionatin e kaluar, kalon edhe Teutën kampione

Në këtë sezon, Tirana është rikthyer të jetë dominuese në fushë ndërsa statistikat e shfaqin si ekipin favorit për të triumfuar në fundin e kampionatit, teksa ekipi i trajnerit Orges Shehi është sulmi dhe mbrojtja më e mirë e Superiores (43-16).

Bardheblutë udhëheqin kampionatin me gjashtë pikë nga ndjekësit më të afërt, Laçin, kundërshtar të cilin e mposhtën me rezultatin e thellë 4-1 duke treguar superioritetin, ashtu siç në fakt bënë edhe me Kukësin që e thyen me rezultatin 4-0 dhe po ashtu cilësohej si rivale e kryeqytetasve për titullin.

Tekniku Shehi ka ndërtuar një makineri e cila funksionon në mënyrë perfekte në fushë ndërsa në ndryshim nga sezoni i kaluar, Tirana është përmirësuar ndjeshëm edhe në shënjestrën drejt portave kundërshtare. Teksa kanë mbetur edhe 14 ndeshje nga fundi i kampionatit, Tirana ka shënuar plot 43 gola në 22 ndeshje me një mesatare prej 1.95 golash për ndeshje.

Statistika këto të cilat kalojnë edhe ekipin e sezonit të kaluar që në 36 ndeshje, u ndal në kuotën e 42 golave. Sigurisht, në këtë aspekt ka ndihmuar edhe merkato me Redon Xhixhën që rezultoi një goditje e madhe. Sulmuesi i afruar nga Laçi ka “përshëndetur” rrjetën në 11 raste, ndërkohë nga ana tjetër nuk është për t’u harruar Taulant Seferi i cili nga sezoni i kaluar, është përshtatur me Superioren ndërsa është golashënuesi më i mirë deri në këtë moment të kampionatit me 12 gola. Për t’u theksuar edhe fantazia që ofron Totre apo Limaj pas sulmuesve kryesorë.

Interesant është fakti se aktualisht me 43 golat e shënuar në kampionat, Tirana ka kaluar edhe Teutën e sezonit të kaluar, skuadër të cilës i mjaftuan 42 gola për t’u shpallur kampione. Gjithsesi, edhe pse bardheblutë i kanë të gjitha kartat në rregull për të mbërritur te titulli numër 26 në historinë e tyre, sërish diferenca nuk lejon qetësinë maksimale, teksa sfida e radhës në kampionat është ajo në transfertë ndaj Teutës ndërsa në vijim kalendari e përball në derbi me Partizanin.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency