Egbo: Besojmë te kualifikimi, gati të bëjmë maksimumin në fushë
Tirana është gati për t’u përballur me serbët e Crvena Zvezdës në sfidën e vlefshme për turin e dytë eliminator të Ligës së Kampionëve, ndërsa këtë e konfirmon edhe trajneri i bardhebluve, Emanuel Egbo.
Në intervistën e zakonshme të dhënë një ditë para ndeshjes, trajneri i kampionëve të Shqipërisë tha se e njeh mirë kundërshtarin dhe se e ka përgatitur skuadrën e tij për të marrë maksimumin nga kjo sfidë.
Nesër luani në turin e dytë eliminator përballë një kundërshtari si Crvena Zvezda…
Shpresoj të marrim rezultatin e duhur ndaj Crvena Zvezdës. Kur e kam thënë që do të synojmë grupet, nuk e kam menduar çfarë skuadrash do kemi përballë, por do të tentojmë me të gjitha mundësitë. Do të futemi në fushë dhe do të japim maksimumin, me shpresën që do të marrim rezultatet që na duhen. Ndeshja varet nga ne, në qoftë se futemi në fushë dhe japim maksimumin.
A e shihni kundërshtarin si favorit për këtë takim?
Tirana ka të njëjtat shanse si Crvena Zvezda. Nuk e di a i keni parë ndeshjet e Champions-it dhe ekipe si Lioni e PSG. Po të ishim në kushte normale, PSG nuk do të ishte në finale. Ne do të shpresojmë deri në fund, çdo gjë mund të ndodhë.
Çfarë duhet të bëjë Tirana për t’u kualifikuar?
Duhet të japim më shumë se ndeshja ndaj Dinamos. Duhet të marrim maksimumin e mundshëm. Kam besim që çunat do japin maksimumin në fushë dhe shpresoj te një rezultat pozitiv.
E keni vendosur formacionin që do hidhni në fushë?
Do të shikojmë deri nesër. Do ta merrni vesh nesër. Do të shikojmë lojtarët që do të kemi në dispozicion dhe do të vendosim.
A pritet të luajë Muçi titullar?
Nesër do ta marrim vesh. Nuk mund ta them tani, por do të studiojmë kundërshtarët dhe mundësitë që kemi. Lojtarët kanë shpenzuar energji dhe duhet të shikojmë se cilët do të jenë gati.
A është avantazh për Tiranën, faktori fushë?
Mund të jetë avantazh, por edhe s’mund të jetë. Kundërshtari është ekip me shumë vlerë dhe ndeshja e nesërme është nga ato ku çdo gjë mund të ndodhë.
E mendoni se tifozët e Tiranës mund të ndërhyjnë në stadium me dron nesër?
Nuk mund t’i përgjigjem unë kësaj pyetje. Unë merrem me gjërat brenda fushe dhe aty po përgatitemi që të japim maksimumin.
E njihni Crvena Zvezdën?
E dimë si luajnë ata dhe do ta shikoni edhe nesër. Është ekip i fortë, me kualitet dhe dinë të luajnë futboll e të sulmojnë. Janë ekip agresiv, por nesër do ta shikojmë si do ta përballojmë.
Skuadra duket më e qetë në prag të kësaj ndeshjeje?
Para ndeshjes me Dinamo Tbilis ishte një atmosferë tjetër, pasi luhej jashtë Shqipërisë dhe një pjesë e kishin për herë të parë. I kam përgëzuar lojtarët e rinj, pasi ishte diçka e madhe për ata dhe kanë fituar vetëbesim.
I trembeni mbingarkesës?
Jo unë i njoh lojtarët dhe e di që është kënaqësi të luash në Champions. U kam thënë lojtarëve ta shijojnë ndeshjen, jo të kenë emocione. Kemi diçka në favorin tonë.



