Egbo: Sot nis sezoni për Tiranën, duam grupet e Champions-it ose Europa Leagues
Titulli kampion është që tani në librin e kujtimeve, sepse Tirana pas vetëm 6 ditësh rindez motorët. Kampionët e Shqipërisë të cilët sezonin e mbyllën më 2 Gusht me finalen e Kupës, kanë rinisur përgatitjet në kuadër të kualifikueseve të UEFA Champions League.
Skuadra ka udhëtuar drejt Pogradecit, aty ku do të zhvillojë një mini-fazë përgatitore deri më 14 Gusht e më tej do të jetë gati për sfidën e parë në Champions League pas 11 vitesh. Trajneri Emanuel Egbo e vlerëson këtë periudhë edhe pse është e shkurtër dhe koha nuk premton shumë.
“Nuk kishim shumë kohë për të pushuar, por as për të festuar, pasi do të nisim menjëherë përgatitjet për eliminatoret e Ligës së Kampionëve. Mund të them se tani ka filluar sezoni për ne dhe do të shkojmë për një minifazë përgatitore, që të përfaqësohemi sa më mirë në eliminatoret e Ligës së Kampionëve”, u shpreh Egbo.
Tekniku nigerian që e dërgoi Tiranën tek titulli kampion pas 11 vitesh, dëshiron të shkojë larg edhe në kompeticionet europiane, dhe në këtë aspekt i ka idetë e qarta se ku synon të mbërrijë me bardheblutë.
“Ia dolëm të fitojmë titullin kampion pas 11 vitesh dhe duam të bëjmë një paraqitje mjaft të mirë edhe në eliminatoret e Champions Leagues. Me ndihmën e zotit, do të donim të arrinim grupet e Champions-it, apo Europa Leagues dhe besoj se kjo do të ishte maksimumi për ne”, tha trajneri i Tiranës.
Deri tani te Tirana janë afruar disa lojtarë për të cilët tekniku 47-vjeçar ka dhënë aprovimin e tij, por merkato e kampionëve të Shqipërisë nuk do të ndalet me kaq.
“Kemi marrë lojtarë që mund ta ndihmojnë ekipin, pasi kemi marrë futbollistë që i kemi studiuar mirë dhe besoj se do të na shërbejnë shumë. Ne besojmë te futbollistët që kemi në dispozicion, por gjatë rrugës presim edhe përforcime të tjera, ndaj besoj se jemi në rrugën e duhur”, deklaroi tekniku bardheblu.



